Edmir Sejdiu, ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit për Reformën në Administratën Publike në MAPD, në emisionin “Tempus” në T7, tha se Kosova arrin të ketë performancën më të mirë në 5 nga 6 fushat kryesore në administratën publike.
Ai tha se në raportet vlerësuese për vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova, pas fazës së aplikimit, renditet e fundit në disa fusha, përfshirë rendin dhe sundimin e ligjit.
Sipas tij, një vlerësim i përgjithshëm pa ndarje sipas fushave mund të krijojë përshtypjen se Kosova është në gjendje të keqe në secilën prej tyre.
“Por nëse fillojmë të bëjmë një përmbledhje se Kosova është e fundit pa bërë një ndarje të fushave, i bie që Kosova është keq në secilën nga fushat”, tha Sejdiu.
Ai theksoi se reforma në administratën publike vlerësohet nga një mekanizëm ndërkombëtar kredibil, SIGMA OECD, i cili bën matje të vazhdueshme për vendet e rajonit.
Sipas Sejdiut, në vlerësimin e fundit të vitit 2024, Kosova ka arritur të ketë performancën më të mirë në 5 nga 6 fushat kryesore të administratës publike, në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
“Nëse e shohim vlerësimin e fundit të bërë në 2024, Kosova arrin të ketë performancën më të mirë në 5 nga 6 fushat kryesore në administratën publike, krahasuar me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha ai.
Ai shtoi se në vitin 2021, Kosova kishte vlerësimin më të ulët ndonjëherë në këtë fushë, duke u renditur e fundit me 2.4 pikë.
Sipas tij, nga viti 2021 deri në vitin 2024, janë ndërmarrë reforma që kanë sjellë rritje të konsiderueshme.
“Pra, në fushën e përmirësimit dhe planifikimit të politikave, qeverisjes në shumë nivele, transparencës dhe llogaridhënies institucionale, menaxhimit të financave publike, kontrollit të brendshëm dhe auditimit, Kosova varion nga 60 deri në 80 pikë nga 100 të mundshme, duke lënë mbrapa të gjitha shtetet tjera”, tha Sejdiu.