Klevis Gjoni, zyrtar për marrëdhënie me publikun në Fondin e Ballkanit Perëndimor (WBF), ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe rolin e shoqërisë civile në procesin e integrimit evropian të vendeve të rajonit.
Në emisionin Tempus, në T7, Gjoni tha se Fondi i Ballkanit Perëndimor është organizatë ndërkombëtare e themeluar nga ministritë e punëve të jashtme të vendeve të rajonit, me seli në Tiranë, ndërsa vepron në të gjithë rajonin përmes granteve dhe mbështetjes financiare.
Sipas tij, sfidat e integrimit evropian janë të përbashkëta për vendet e rajonit dhe përfshijnë luftimin e korrupsionit, forcimin e demokracisë, ndërtimin e shtetit, funksionimin e institucioneve dhe rritjen e hapësirës për shoqërinë civile.
Ai theksoi se, megjithëse secili vend ka specifikat e veta, këto sfida mbeten të ngjashme dhe kërkojnë qasje të përbashkët rajonale.
Gjoni tha se fondi është themeluar në vitin 2017, në një periudhë kur situata gjeopolitike në rajon ishte ndryshe, ndërsa sot ekziston një moment më i favorshëm për integrim.
Sipas tij, bashkëpunimi rajonal është thelbësor dhe duhet të nisë nga niveli i shoqërisë civile, pasi kjo ndihmon në forcimin e procesit integrues.
Ai theksoi se Bashkimi Evropian nuk mund të “importojë problemet e rajonit”, ndaj vendet duhet t’i adresojnë ato vetë përmes bashkëpunimit.
Gjoni shtoi se rajoni duhet të shihet si një hapësirë e përbashkët evropiane, ku njerëzit, kapitali dhe mallrat lëvizin lirshëm.
Ai tha se përmes rreth 430 granteve, Fondi ka mbështetur mijëra organizata të shoqërisë civile dhe ka nxitur bashkëpunim ndërmjet tyre, duke përfshirë mbi 2 mijë përfitues të financimeve.
Në fund, ai theksoi se gjithnjë e më shumë donatorë po orientohen drejt projekteve rajonale, duke e konsideruar këtë një zhvillim pozitiv për rajonin.