Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, këtë të enjte është deklaruar i pafajshëm B.A., i akuzuar për kanosjen e nipit të tij, S.A.
Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari B.A. e ka bërë pasi që prokurorja Arta Cukaj lexoi aktakuzën, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjyqtari i rastit, Albert Haliti, e njoftoi të akuzuarin për mundësinë e paraqitjes së kundërshtimit të provave dhe kërkesës për hedhje të aktakuzës në afat prej 30 ditësh.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të ngritur më 20.09.2024, B.A., më 18 korrik 2024, me qëllim frikësimi, e ka kanosur seriozisht të dëmtuarin S.A., për shkak të një mosmarrëveshjeje rreth një parcele tokësore, ku sipas të dëmtuarit, i pandehuri (xhaxhai) këtë tokë e ka përkthyer në emër të tij pa dijeninë e familjarëve të të dëmtuarit.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri e ka kanosur të dëmtuarin me fjalët “ky livadh don me ia hangër kryt dikunja”, me çka tek i dëmtuari është shfaqur ndjenja e pasigurisë për jetë.
Për këtë, B.A. akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosje” nga neni 181, paragrafi 1 i Kodit Penal.