Në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC) në kuadër të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, është rikthyer emri i Driton Velës, ish-kandidat për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e vitit 2019
Komisioni për zgjedhjen e anëtarëve të KSHC-së, i drejtuar nga Rektori i Prizrenit, Mentor Alishani, sipas burimeve të Front Online brenda MAShTI-t, ende nuk e ka dorëzuar raportin përfundimtar.
Pa një raport të nënshkruar nga Komisioni, ministri i Arsimit, Hajrulla Çeku e ka dërguar atë të martën në orët e vona në Qeveri.
Mbledhja e Komisionit ka qenë jotransparente dhe në procesin e monitorimit nuk është ftuar shoqëria civile.
Driton Vela, i cili është vetëm asistent, ka pasur si kundërkandidate doktoreshën Jeta Kelmendi, e cila ka përfunduar doktoratën në Universitetin e Zagrebit, ka qenë profesoreshë në Universitin e Rijekës, ka 23 publikime në Scopus dhe Web of Science, indeks H = 18 dhe mban titullin profesoreshë e asociiuar, por që nuk u përzgjodh.
Ky zhvillim ka ngritur pikëpyetje për transparencën e procesit dhe mënyrën e vlerësimit të kandidatëve, duke nxitur reagime për mungesë të mundshme të meritokracisë në përzgjedhje.
Kosova në vitin 2018 ishte përjashtuar nga rrjetet evropiane ENQA dhe EQAR për shkak të shqetësimeve lidhur me pavarësinë institucionale dhe ndërhyrjet në sistemin e akreditimit.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe ORCA duke kërkuar anulimin e procesit, të cilin e konsideron të komprometuar në tërësi.
Sipas organizatës , afati i aplikimit prej tetë ditësh ka qenë i pamjaftueshëm, ndërsa vlerësimi i kandidatëve është përfunduar brenda vetëm 48 orëve, duke ngritur dilema për seriozitetin dhe thellësinë e shqyrtimit.
ORCA vlerëson se procesi ka krijuar hapësirë për favorizime të mundshme, duke përfshirë edhe rikthimin e Velës, çka dëmton besueshmërinë e institucionit dhe ngre shqetësime për standardet e cilësisë në arsimin e lartë në vend.
Ish-ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi, ka komentuar për FrontOnline zhvillimet e fundit lidhur me procesin e përzgjedhjes së anëtarëve në Agjencinë e Kosovës për Akreditim, duke vënë theksin te rëndësia e integritetit dhe standardeve institucionale.
Sipas tij, përzgjedhja e anëtarëve në institucione të ndjeshme si AKA duhet të mbështetet në meritë, integritet dhe transparencë, në mënyrë që të ruhet besimi publik dhe pavarësia institucionale.
“Çdo proces i përzgjedhjes për një institucion kaq të ndjeshëm duhet të mbështetet qartë në meritë, integritet dhe transparencë. Çdo paqartësi apo perceptim për ndikim jomeritor e dëmton besimin në institucion dhe ngre pikëpyetje për pavarësinë e tij”, është shprehur ai.
Duke folur për dimensionin ndërkombëtar, Bytyqi ka thënë se kredibiliteti i AKA-së është i lidhur ngushtë me besueshmërinë e vendimmarrjes së saj, duke kërkuar respektim rigoroz të kritereve profesionale.
“Sa i përket ndikimit ndërkombëtar, është e qartë se kredibiliteti i AKA-së lidhet ngushtë me besueshmërinë e proceseve të saj vendimmarrëse. Prandaj, në raste të tilla, zgjidhja më e mirë është transparenca e plotë, respektimi rigoroz i kritereve profesionale dhe shmangia e çdo vendimi që mund të krijojë dyshime për paanshmërinë institucionale”, ka deklaruar Bytyqi për FrontOnline.
Ish-zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj, ka vlerësuar se zhvillimet rreth përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC) nuk paraqesin rrezik për Agjencinë e Kosovës për Akreditim në tërësi, por për vetë procesin e përzgjedhjes së kandidatëve.
“Nuk është i rrezikshëm për tërë agjencinë, por për procesin e përzgjedhjes’’, ka deklaruar Rexhaj.
Ai ka theksuar se duhet të shihet edhe konteksti i angazhimit të kandidatëve, përfshirë edhe periudhën kur ata kanë qenë pjesë e strukturave të ndryshme.
“Duhet parë se kur ka qenë Prof. Vela kandidat dhe duhet parë a mban pozitë udhëheqëse në ndonjë organ partiak. Këto janë propozicionet sa më kujtohet mua. Unë nuk e di kur ka qenë ai në këto situata’’, është shprehur ai.
Sa i përket çështjes së integrimit evropian në fushën e sigurimit të cilësisë, Rexhaj ka sqaruar se Kosova aktualisht nuk është pjesë e ENQA-së, ndërsa për EQAR ekzistojnë kushte të përcaktuara për humbjen e statusit të anëtarësisë.
“Sa i përket anëtarësisë, Kosova nuk është pjesë e ENQA. Ndërsa për EQAR dihen kushtet kur humbet statusi i anëtarësisë’’, ka thënë ai.
Rexhaj ka shtuar se situata aktuale lidhet më shumë me mënyrën e menaxhimit të procesit sesa me rrezikim të drejtpërdrejtë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.
“Më shumë i përngjet situatës me rrezikim të udhëheqjes dhe menaxhimit të tërë organizatës’’, ka deklaruar ai.
Ish-drejtori i Arsimit në Prishtinë, Jonuz Salihaj, ka kritikuar procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA), duke thënë se ai është i korruptuar dhe synon kapjen e institucionit.
Në një deklaratë për Front Online, Salihaj tha se mënyra se si po zhvillohet ky proces tregon qartë për ndërhyrje politike.
“Procesi shihet qartë se është i korruptuar, ndërsa qëllimi është kapja e këtij institucioni”, deklaroi ai për FrontOnline.
Sipas tij, zhvillimet e fundit tregojnë se Agjencia e Kosovës për Akreditim nuk po funksionon si institucion i pavarur.
“Kjo dëshmon se Agjencioni i Kosovës për Akreditim nuk vepron si i pavarur, por i nënshtrohet politikave partiake të partisë në pushtet”, u shpreh Salihaj.
Ai paralajmëroi se vendime të tilla mund të kenë pasoja serioze për reputacionin ndërkombëtar të agjencisë.
“Kjo e rrezikon pakthyeshëm kredibilitetin e AKA-së”, tha ai.
Salihaj kujtoi se rikthimi i Kosovës në organizatat evropiane të sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë ishte një arritje e rëndësishme, por sipas tij kjo mund të vihet sërish në rrezik.
“Ka qenë një arritje për Kosovën kthimi i AKA-së në ENQA dhe EQAR, por tani rrezikojmë seriozisht të na përsëritet shkurti i vitit 2018 kur AKA u përjashtua nga Komiteti i Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë për shkak të ndërhyrjeve politike”, tha ai.
Njohësi i çështjeve të Arsimit, Argjend Osmani, ka vlerësuar se zhvillimet e fundit në Agjencinë e Kosovës për Akreditim (AKA) duhet të trajtohen me kujdes, duke theksuar se ky institucion edhe në të kaluarën është përballur me probleme serioze që kanë ndikuar në reputacionin e tij ndërkombëtar.
Në një prononcim për FrontOnline, Osmani ka theksuar se përzgjedhja e anëtarëve të rinj duhet të mbetet jashtë ndikimit politik dhe të bazohet ekskluzivisht në profesionalizëm dhe kredenciale të dëshmuara.
“Agjencia e Kosovës për Akreditim edhe në të kaluarën është përballur me probleme dhe vështirësi. Në këtë kontekst duhet parë edhe veprimi i anëtarëve të rinj, ku politika duhet t’i mbajë duart sa më larg dhe të përzgjidhen profesionistë të dëshmuar që ia duan të mirën vendit”, ka deklaruar ai.
Osmani ka kritikuar edhe tendencat për përfshirje politike në institucionet akademike, duke e cilësuar si vazhdimësi të praktikave të vjetra që dëmtojnë sistemin.
“Sot po shohim anëtarë me prapavijë politike dhe mos marrje parasysh të njerëzve me kredenciale akademike. Kjo është shenjë e keqe dhe tregon që avazi i vjetër po vazhdon prapë”, është shprehur ai.
Sipas tij, një qasje e tillë mund të ketë pasoja serioze për sistemin e akreditimit në vend, duke rikujtuar edhe rastet e mëhershme kur Kosova është përballur me përjashtim nga mekanizma ndërkombëtarë si ENQA dhe EQAR.
“Ky zhvillim mund të jetë i rrezikshëm, sepse edhe në të kaluarën kemi pasur probleme që kanë çuar deri te përjashtimi nga organizatat ndërkombëtare dhe kanë ndikuar në standardet e akreditimit”, ka thënë Osmani.
Ai ka shtuar se emërimet e diskutueshme mund të dëmtojnë imazhin e institucionit dhe të krijojnë pasoja afatgjata për besueshmërinë e tij.
“Pa dyshim që këto emërime mund të ndikojnë negativisht në imazhin e AKA-së dhe të krijojnë vështirësi në të ardhmen”, ka thënë ai.
Në fund, Osmani ka apeluar që të mos përsëriten gabimet e së kaluarës dhe që institucionet e pavarura të mbrohen nga ndikimi politik.
“Duhet të shmangen gabimet e së kaluarës dhe apetitet politike të mbahen larg institucioneve kredibile”, ka thënë ai për FrontOnline.