Grupi parlamentar i LSDM-së ka paraqitur një Projektligj për ndryshimin e Ligjit për Qeverinë në Maqedoninë e Veriut, i cili parashikon ndalimin e shtetësisë së dyfishtë për Ministrat, Zëvendëskryeministrat dhe të gjithë Qeverinë, me efekt të menjëhershëm, shkruan Portalb.mk.
Nga LSDM thonë se ky propozim përcakton një parim barazie, pra të zbatohen të njëjtat rregulla për të gjithë zyrtarët e zgjedhur dhe të emëruar, pa përjashtim.
LSDM gjithashtu kritikon ndryshimet e shpallura në Ligjin për deputetët nga VMRO-DPMNE, duke vlerësuar se ato nuk parashikojnë që ato të hyjnë në fuqi menjëherë, por të zbatohen nga përbërja e ardhshme parlamentare.
“Është e qartë se qëllimi është të mbrohen deputetët aktual dhe ministrat që kanë edhe shtetësi të tjera. Kjo është e pandershme dhe në kundërshtim me parimet e përgjegjësisë. Përveç ndryshimeve të propozuara në Ligjin për Qeverinë, ne do të paraqesim edhe ndryshime në projektligjin për deputetët, në mënyrë që ndalimi i shtetësisë së dyfishtë të zbatohet menjëherë edhe për deputetë”, thonë nga LSDM. Në fund nga atje shtuan se asnjë deputet dhe asnjë zyrtar i zgjedhur dhe i emëruar nuk do të kenë shtetësi të dyfishtë.
Dje, 22 prill 2026, Kuvendi me propozim të VMRO-DPMNE-së, i miratoi ndryshimet në Ligjin për Deputetët me çka parashihet që deputetët të kenë vetëm shtetësi të Maqedonisë së Veriut dhe nuk guxojnë të kenë shtetësi të vendeve të tjera. Deputeti Antonio Milloshoski, duke prezantuar ndryshimet, theksoi se kjo do të rrisë besimin e qytetarëve te funksionarët.
“Një deputet, një shtetësi. Kush dëshiron të jetë Deputet në Kuvend, çdokush do të duhet të ketë vetëm shtetësi të Maqedonisë. Ky ligj nëse miratohet dhe sapo të publikohet në Gazetën Zyrtare, do të vlejë edhe për këtë përbërje të deputetëve. Deputetët të cilët kanë shtetësi të dyfishtë, nuk do të mund të jenë deputetë në Kuvendin e Maqedonisë”, tha Antonio Milloshoski, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Nga Fronti Evropian votuan kundër dhe nga atje thonë se përmes këtij ligji i pamundësohet diasporës të marrë pjesë në zgjedhje dhe se është në kundërshtim me rregulloren e BE-së.
“Propozim-ligj antikushtetues, është kundër Kodit Zgjedhor, kundër praktikës në Bashkimin Evropian dhe është kundër harmonisë ndëretnike që e kemi. Është kundër Kushtetutës për faktin që Kushtetuta e RMV lejon të kemi dy nënshtetësi, deputetët të zgjidhen në mënyrë të drejtpërdrejt nga vullneti i qytetarëve dhe u lejohet atyre të kenë nënshtetësi tjetër prandaj kjo e drejtë e Kushtetutës është e cenueshme në propozim-ligjin dhe është kundër Kodit Zgjedhor”, theksoi Skender Rexhepi nga Fronti Evropian.
Ndryshe, në kohën kur u votua Qeveria, doli që dy anëtarë të Qeverisë të kenë shtetësi të dyfishtë. Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, rezultoi të kishte shtetësi bullgare dhe maqedonase. Ndërsa Zëvendëskryeministri për Politika të Qeverisjes së Mirë, Arben Fetai, doli të jetë i pajisur me shtetësi të Belgjikës dhe të Maqedonisë së Veriut. Nga ana tjetër, sipas njoftimeve të autoriteteve bullgare mbi 216 mijë pasaporta me shtetësi bullgare u janë lëshuar qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
tag_katrorimaqedoni_2