Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se e dënon gjuhën e deputetit, Fatos Geci, për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ofendimet ndaj deputetes, Vlora Çitaku, shkruan Gazeta Express.
Haxhiu ka deklaruar se si kryetare nuk do të lejojë që foltorja të përdoret për sulme dhe njollosje të luftës së UÇK’së dhe ndaj atyre që i kanë dalë zot vendit.
“Në seancën e kaluar kam ndërhyrë ndaj deputetit Geci sepse ajo dekalratë ishte e rëndë dhe përçarëse. Uroj që vendimi i Gjykatës ta korrigjojë padrejtësinë e Prokurorisë. Si kryetare e Kuvendit e dënoj këtë gjuhë dhe si kryetare e Kuvendit nuk do të lejojë që foltorja e Kuvendit të përdoret për sulme të tilla. Të debatojmë me argumente e ide dhe assesi me qëndrime që e cenojnë luftën tonë çlirimtare dhe ata që i dolën zot vendit. Çdo tentim për ta njollosur luftën është i papranueshëm nga kushdo që bëhet dhe kudo që bëhet”, ka thënë Haxhiu.
Haxhiu ka dënuar edhe gjuhën seksiste të deputetit Geci ndaj Vlora Çitakut.
“Së dyti u bë e ditur gjuha seksiste ndaj deputetes Vlora Çitaku. Gjuha seksiste dhe poshtëruese ndaj grave në politikë është e turpshme dhe e papranueshme. S’do të lejojë që ajo të normalizohet në Kuvend. Kushdo që i nënçmon, e nënçmon votën e qytetarëve. Kush ka argumente le t’i paraqes ato. Por fyerja, paragjykimi dhe nënçmimi s’janë debat dhe s’do të tolerohen. Kërkoj që të ruhet niveli nga deputetët”, ka shtuar kryetarja Haxhiu