Gërxhaliu: Projekti ”The Prishtina Film City” nga Hollywoodi para dështimit në Kosovë - Gazeta Express
string(82) "gerxhaliu-projekti-the-prishtina-film-city-nga-hollywoodi-para-deshtimit-ne-kosove"

Lajme

Gazeta Express

23/04/2026 8:32

Gërxhaliu: Projekti ”The Prishtina Film City” nga Hollywoodi para dështimit në Kosovë

Lajme

Gazeta Express

23/04/2026 8:32

Në një analizë ekonomike dhe profesionale, rasti i projektit “The Prishtina Film City” nuk është vetëm një projekt i madh në letër, por një test i qartë për mënyrën se si Kosova i trajton investimet e huaja dhe idetë transformuese zhvillimore.

Kështu ka thënë eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu, përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook.

“Sipas prezantimit të projektit të filluarpara sa viteve , bëhet fjalë për një kompleks prej 65 hektarësh tokë të premtuara nga komuna e Prishtines, me dhjetë studio filmike të brendshme dhe shtatë qytete permanente të jashtme, të dizajnuara sipas modeleve të industrisë amerikane të filmit. Nëse do të  realizohej  ky projekt do ta poziciononte Kosovën në hartën globale të industrisë kreative”, ka thënë ai.

Në aspektin e punësimit, projekti parasheh rreth 3,000 vende pune direkte, ku:

-2,000 vende në produksion, post-produksion, skenografi, teknologji dhe menaxhim

-1,000 vende në hoteleri dhe gastronomi brenda kompleksit

Në një ekonomi si Kosova, ku papunësia e të rinjve mbetet sfidë strukturore, një impakt i tillë do të ishte i rëndësishëm, nëse shifrat do të shoqëroheshin me plan real implementimi.

Nga ana financiare, projekti flet për një investim prej 150 milionë euro, të ndarë në faza, me pjesëmarrje të investitorëve nga SHBA, Izraeli, rajoni dhe sektori vendor. Në teori, një strukturë e tillë do të kishte potencial të gjeneronte efekt multiplikativ në ekonomi nga ndërtimi, shërbimet, turizmi deri te industria kreative.

Po ashtu, parashikimet e të hyrave janë ambicioze:

50–150 milionë euro do të gjeneronte  në vit në fazat fillestare,

150–350 milionë euro sot të gjeneronte pas fazës së  konsolidimit dhe

deri në 500 milionë euro në vit në bashkëpunim me platforma globale si Netflix.

Nëse këto projeksione do të ishin të mbështetura në studime serioze fizibiliteti dhe kontrata reale investimi, atëherë do të flisnim për një nga projektet më transformuese në rajon.

Por këtu lind pyetja thelbësore ekonomike: a ekziston realisht kapaciteti institucional, ligjor dhe financiar në Kosovë për të menaxhuar një projekt të kësaj natyre dhe madhësie?

Pa këto elemente bazë – studim i pavarur fizibiliteti, siguri e investitorëve, dhe kornizë e qartë implementimi – çdo projekt i tillë rrezikon të mbetet në nivel koncepti, duke krijuar pritshmëri të larta dhe rezultate të ulëta.

Në këtë kontekst, ky projekt i ishte premtuar Komunës së Prishtinës, përkatësisht kryetarit Rama, dhe përkundër pritshmërive dhe premtimeve për ofrimin e hapësirës së nevojshme, procesi nuk ka vazhduar me seriozitetin dhe dinamikën e kërkuar për një investim të tillë, duke krijuar pasiguri dhe sinjal negativ tek investitorët potencialë.

Republika e Kosovës ka nevojë urgjente për investime të tilla. Por problemi qëndron tek besueshmëria dhe aftësia për t’i bërë realitet.

Nëse vërtet kemi arritur në një situatë ku projekte të nivelit “Hollywood” nuk arrijnë të kalojnë filtrin e realizueshmërisë në Kosovë, atëherë sfida nuk është mungesa e investitorëve, por mungesa e besimit dhe kapacitetit institucional për t’i absorbuar ato.

Diplomacia kulturore është trend botërore që ndikon jo vetëm në aspektin ekonomik por edhe në përmirësimin e imazhit të një shteti.

Vetëm në vitet e fundit Republika e Kosovës është vizituar nga yje të Holywoodit si Gerard Depardieu,

Maria Grazia Cucinota, Sir Tony Robinson, William Baldwin, Denis O’Hare,, Louis Mandylor etj, e nuk janë pritur asnjëherë nga institucionet vendore.

Zhvillimi ekonomik nuk matet me madhësinë e projekteve në letër, por me aftësinë për t’i kthyer ato në realitet të qëndrueshëm.

Projekti ” The Prishtina Film City ” do të realizohet, por është mëkat të mos realizohet në Republikën e Kosovës.

Advertisement
Advertisement
Advertisement