Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se nuk ka “asnjë afat kohor” për t’i dhënë fund luftës me Iranin, ndërsa Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se nuk ka vendosur një afat të ri për një armëpushim të zgjatur.
Ndërkohë, kryenegociatori i Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka deklaruar se “nuk është e mundur” të rihapet Ngushtica e Hormuzit për shkak të shkeljeve “flagrante” të armëpushimit nga SHBA-ja dhe Izraeli.
Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, ka thënë se bllokada e SHBA-së dhe “shkelja e angazhimeve” janë pengesat kryesore për negociatat.
Irani ka sulmuar të mërkurën tri anije mallrash ndërsa ato përpiqeshin të kalonin nëpër Ngushticën e Hormuzit. Ekuipazhet e dy prej tyre janë ndaluar nga Irani.
Ndërkohë, Izraeli dhe Libani do të zhvillojnë një rund të dytë bisedimesh të enjten.