Mijëra familje në vend vazhdojnë të mbështeten nga skema e ndihmës sociale, duke reflektuar sfidat e vazhdueshme ekonomike dhe sociale.
Megjithatë në muajin mars numri i familjeve që marrin ndihmë sociale ka pësuar një rënie të lehtë.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në muajin janar, gjithsej 16,110 familje kanë përfituar nga ndihma sociale. Ky numër ka shënuar një rënie të lehtë në muajt pasues, duke zbritur në 15,872 në shkurt dhe në 15,595 në mars.
Komuna me numrin më të madh të përfituesve mbetet Mitrovica, me mbi 1,500 familje gjatë gjithë periudhës, e ndjekur nga Vushtrria, Gjakova, Peja dhe Prishtina, të cilat gjithashtu raportojnë shifra të larta.
Në anën tjetër, komunat si Juniku, Mamusha dhe Parteshi kanë numrin më të ulët të përfituesve.
