Serbia me Vuçiqin: Nga balancimi drejt distancimit - Gazeta Express
string(49) "serbia-me-vuciqin-nga-balancimi-drejt-distancimit"

Lajme

Gazeta Express

21/04/2026 12:22

Serbia me Vuçiqin: Nga balancimi drejt distancimit

Lajme

Gazeta Express

21/04/2026 12:22

Qasja e Serbisë ndaj të ashtuquajturve shtylla të diplomacisë së saj aktualisht përcaktohet nga dy çështje konkrete.

Nga Brukseli ka ardhur paralajmërimi për mundësinë e pezullimit të fondeve nga Plani i rritjes – mjetet e Bashkimit Evropian (BE) për shtetet e Ballkanit Perëndimor me vlerë gjashtë miliardë euro për periudhën 2024-2027 – për shkak të ligjeve të reja në drejtësi.

BE-ja kërkon rishikimin e ligjeve, me vlerësimin se ato minojnë pavarësinë e gjyqësorit, autonominë dhe funksionimin e prokurorive.

Marrëdhëniet e Beogradit me Moskën dhe Uashingtonin përcaktohen nga bisedimet për heqjen e sanksioneve amerikane ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS).

Sanksionet janë vendosur për shkak të pronësisë ruse, ndërsa me Rusinë po negociohet për gatishmërinë e saj që të shesë pakon e aksioneve, rreth 56 për qind, në kompaninë kryesore të naftës në Serbi, kompanisë hungareze MOL.

Një vend të veçantë në zhvillimet e mëtejshme ka largimi nga pushteti i Viktor Orbanit, lider i partisë hungareze Fidesz, pas 16 vjetësh.

Popullisti Orban, largimi i të cilit lehtëson marrëveshjet për çështje kyç brenda BE-së, për pushtetin në Serbi mund të jetë zhgënjim, duke pasur parasysh se afërsinë me regjimin hungarez, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk e ka fshehur. Ai ishte gjithashtu ndër liderët evropianë që mbështetën forcat e Orbanit në fushatën zgjedhore.

Orbanin dhe Vuçiqin i lidhte bashkëpunimi me Rusinë, pavarësisht sanksioneve të BE-së ndaj këtij vendi, si dhe akuzat për centralizim të pushtetit dhe presion ndaj mediave, opozitës dhe shoqërisë civile.

Prandaj, krahasimi i proceseve politike në Serbi dhe në fqinjin e saj verior është i pashmangshëm.

Ngjashmëri dhe dallime me Hungarinë

“Hungaria është anëtare e Bashkimit Evropian, prandaj anëtarësimi në BE për ta nuk është temë”, thekson Zoran Milivojeviq, diplomat karriere, në një bisedë me Jelica Miniq nga Lëvizja Evropiane në Serbi, për Radion Evropa e Lirë (REL).

Për më tepër, vazhdon ky bashkëbisedues, në rastin e Hungarisë nuk shtrohet çështja e integritetit territorial.

Serbia nuk heq dorë nga Kosova si pjesë te saj, siç përcaktohet edhe në Kushtetutën e vendit, pavarësisht se mbi ish-krahinën e saj nuk ka kontroll që nga viti 1999, ndërsa BE-ja kërkon normalizimin e marrëdhënieve mes dy palëve si kusht për anëtarësim.

“Prandaj, gjërat janë të pakrahasueshme”, përfundon Milivojeviq.

Ai gjithashtu rikujton se kundërshtarët e Vuçiqit nuk kanë një lider që mund të krahasohet me fituesin e zgjedhjeve në Hungari, Peter Magyar, gjë që e thekson edhe Jelica Miniq.

Ajo shton se pushteti në Serbi ka polarizuar thellë shoqërinë, dhe se pikërisht këtu mund të kërkohen ngjashmëritë me fqinjin verior.

“Do të shohim si do të zhvillohet dhe nëse janë të mundshme ndryshime të mëdha që tani priten në Hungari. Peter Magyar ka arritur të mbledhë dy të tretat e hungarezëve, por përmes një spektri të gjerë politik”, thotë Miniq.

Festime në Budapest pas fitores së Peter Madar në zgjedhjet e 13 prillit 2026.
Festime në Budapest pas fitores së Peter Madar në zgjedhjet e 13 prillit 2026.

Edhe pa ndryshime në Hungari, megjithatë, pushteti në Serbi përballet me një sërë sfidash të ndryshme që formësojnë pozicionin e tij në politikën e jashtme.

“Lojërat e Vuçiqit” në rrethana të reja

Gjatë katërmbëdhjetë vjetëve të pushtetit të progresistëve të Vuçiqit dhe aleatëve të tyre, raporti global i forcave ka ndryshuar ndjeshëm. Politika e balancimit mes fuqive të mëdha, mbi të cilën ka këmbëngulur diplomacia e Vuçiqit, tani është përballë sfidave të shumta.

Edhe pse kandidate për anëtarësim në BE, Serbia prej katër vjetësh nuk ka hapur asnjë kapitull në negociata, ndërsa ndër sfidat kryesore renditet mosharmonizimi me politikën e jashtme të BE-së, para së gjithash mosvendosja e sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të saj të Ukrainës.

Megjithëse nga Beogradi flitet për “lidhje të forta” me Moskën, disa kritika nga Kremlini, si ato për shitjen e pretenduar të armëve Ukrainës, kanë lëkundur “miqësinë tradicionale”.

Një sinjal i marrëdhënieve më korrekte me Moskën u pa së fundmi në gatishmërinë e Rusisë që për tre muaj të mbetet furnizuesi kryesor i gazit për Serbinë, për çka Vuçiçi falënderoi personalisht liderin rus Vladimir Putin.

BE-ja pret nga Serbia që të ndjekë ritmin e uljes së varësisë nga gazi rus, që deri në janar 2028 duhet të përfundojë plotësisht.

Biseda me Putinin është vetëm një ndryshim i vogël krahasuar me situatën e pakëndshme në të cilën Vuçiqi u gjend në shtator të vitit të kaluar në Pekin, kur Putini para kamerave shfletonte dokumente ndërsa Vuçiqi i drejtohej.

Sa i përket SHBA-së, siç thotë në një intervistë për REL, Edward Joseph, ekspert amerikan, administrata e Trampit nuk është e interesuar për “lojërat e Vuçiqit”.

Çfarë “mbron” BE-ja në Serbi?

Duke folur për qasjen e BE-së ndaj Serbisë, por edhe ndaj Ballkanit Perëndimor në përgjithësi, Eric Gordy nga Universiteti i Londrës thekson përqendrimin e Brukselit në ndryshime formale dhe çështje ekonomike.

Siç përfundohet në përmbledhjen e punimeve të publikuar së fundmi “Shtete të kapura në Ballkanin Perëndimor”, në të cilën Gordi është një nga redaktorët, një qasje më e qartë ndaj të drejtave themelore do të ishte më e dëshirueshme.

“Ndjek mediat proqeveritare në Serbi dhe vitet e fundit ato theksojnë fuqishëm ndarjen mes BE-së dhe SHBA-së. Sot, pas zgjedhjeve në Hungari, e thonë këtë hapur. Për shembull, ‘Politika’ ka një tekst se Perëndimi tani është i ndarë në dy kampe – BE dhe SHBA. Dhe, natyrisht, regjimi përdor SHBA-në kundër BE-së. Ajo që mund të shpresohet në një kontekst të tillë është që BE-ja të dalë përpara dhe të marrë rolin që i takon – si mbrojtëse e barazisë, të drejtave të njeriut dhe vlerave demokratike”, thotë Gordy.

Serbia në vitin 2025 ishte ndër vendet e botës me rënien më të madhe të lirive, sipas një studimi të organizatës ndërkombëtare joqeveritare Freedom House, të publikuar në mars.

Me statusin e një vendi “pjesërisht të lirë”, çështja e lirive dhe sundimit të ligjit bëhet thelbi i këmbënguljes së BE-së ndaj Serbisë.

Pikërisht për këtë arsye Serbisë i kanoset humbja e një miliardë e gjysmë eurove të mbetura nga Plani i rritjes.

Jelica Miniq vlerëson se, ndryshe nga publiku profesional që nuk i fsheh shqetësimet, elita qeverisëse në Serbi ka një qasje tjetër: “Duket se ata mendojnë se kjo është e zgjidhshme dhe se nuk është e sigurt që BE-ja do të ndërmarrë hapa të tillë”.

Zoran Milivojeviq beson se kërcënimi i Brukselit është serioz dhe shpreh besim në mesazhin e Vuçiqit se do të respektojë atë që do të vendosë Komisioni i Venecias, i cili do të japë mendim për ndryshimet në ligjet e drejtësisë.

Me kërkesë të kryetares së Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, për mendim mbi ligjet e drejtësisë, Komisioni i Venecias, organ këshillimor i Këshillit të Evropës, jep opinione mbi çështjet ligjore.

Ligjet e reja në drejtësi hynë në fuqi në janar. Pushteti pretendon se ato e bëjnë sistemin gjyqësor më efikas, ndërsa BE-ja ka shprehur shqetësimin se ligji forcon kontrollin mbi drejtësinë.

Ku është Beogradi në raport me Uashingtonin?

Marrëdhëniet mes pushtetit në Serbi dhe administratës së Donald Trumpit kanë ndryshuar nga mandati i mëparshëm në atë të ri të presidentit amerikan.

“Pas ndryshimeve në Uashington, është e sigurt se marrëdhëniet me Serbinë janë përmirësuar”, thotë Milivojeviq, duke e mbështetur këtë me shembuj të takimeve që zyrtarët serbë zhvillojnë me përfaqësues të Departamentit të Shtetit dhe institucioneve të tjera amerikane.

“Nuk do të pajtohesha se Serbia ka përparim në marrëdhëniet me SHBA-në. Mendoj se pritjet ishin të mëdha, një lloj euforie pas fitores së Donald Trumpit. Megjithatë, pas kësaj erdhi zhgënjimi”, thotë Miniq.

Ajo thekson se Serbia paguan tarifa të larta amerikane, 35 për qind për produktet që eksporton në SHBA, në përputhje me vendimin e presidentit amerikan nga gushti 2025, me qëllim uljen e deficitit tregtar amerikan.

Megjithatë, në deklaratat e Aleksandar Vuçiqit, si dhe të përfaqësuesve të tjerë të pushtetit, vlerësimet për SHBA-në apo Rusinë janë më të përmbajtura sesa ato që dëgjohen për administratën e Brukselit.

“Sepse Brukseli është më i ashpër ndaj Serbisë”, është qëndrimi i Zoran Milivojeviqit.

Jelica Miniq, nga ana tjetër, vlerëson se gjuha që nga Beogradi drejtohet ndaj zyrtarëve evropianë është e papranueshme dhe se edhe për këtë paguhet çmim. /REL

Advertisement
Advertisement
Advertisement