E ardhmja e Eduardo Camavingas vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes, mes zërave të shumtë për një largim të mundshëm nga Real Madridi.
Sipas raportimeve nga Spanja, mesfushori francez ka dëshirë ta vazhdojë aventurën e tij në Madrid dhe nuk e ka prioritet largimin, pavarësisht interesimit të madh nga klubet e tjera, përcjell “Gazeta Express”.
Megjithatë, situata e tij në skuadër nuk është plotësisht e qartë.
Një sezon i ndërprerë nga lëndimet dhe një rol jo gjithmonë protagonist kanë bërë që ai të jetë nën vëzhgimin e shumë klubeve evropiane.
Nga Anglia, disa klube të mëdha të Premierligës po e monitorojnë me kujdes situatën e tij, duke e konsideruar një profil ideal për intensitetin dhe stilin e lojës në atë kampionat.
Interes ka edhe nga Paris Saint-Germaini, por për momentin nuk ka oferta konkrete dhe gjithçka mbetet në fazën e vlerësimeve.
Nga ana tjetër, edhe brenda Real Madridit nuk përjashtohet një shitje nëse mbërrin oferta e duhur, me klubin që është i hapur të dëgjojë propozime për lojtarin gjatë verës.
Në këtë moment, Camavinga është i ndarë mes dëshirës për të qëndruar dhe interesimit të madh nga jashtë, duke e bërë verën e ardhshme vendimtare për të ardhmen e tij. /Gazeta Express