Epoka e dominimit të Real Madridit po duket gjithnjë e më e largët, pasi pasojat financiare të dy sezoneve radhazi pa trofe madhorë po ndihen rëndë.
Në “Bernabeu” po vihet re një rënie e madhe e vlerës së skuadrës, me yjet ofensivë Jude Bellingham dhe Vinicius Junior që kanë pësuar ulje të ndjeshme në vlerën e tyre në treg.
Me Florentino Perezin që arriti të transferojë Kylian Mbappen në një skuadër tashmë të mbushur me yje, gjithçka dukej e pandalshme.
Por dy vite më vonë, bilanci i trofeve është zhgënjyes, me vetëm Superkupën e UEFA-s dhe Kupën Interkontinentale të FIFA-s të fituara.
Dështimet sportive janë reflektuar drejtpërdrejt në aspektin financiar.
Eliminimi nga çerekfinalet e Ligës së Kampionëve nga Bayern Munichu dhe fakti që janë nëntë pikë pas Barcelonës në La Liga kanë bërë që vlera e skuadrës të bjerë me plot 176 milionë euro, sipas “Transfermarkt”.
Jude Bellinghami ka pësuar një nga rëniet më të mëdha, me vlerën e tij që ka rënë nga 180 milionë euro në 140 milionë.
Një trend i ngjashëm shihet edhe te Vinicius Juniori, i cili ka rënë nga 180 milionë në 150 milionë euro, pas një periudhe jo të qëndrueshme.
Braziliani madje është cilësuar nga disa kritikë si një nga zhgënjimet më të mëdha të skuadrës.
Vetëm tetë lojtarë kanë rritur vlerën e tyre, kryesisht talente të rinj si Arda Guleri, i cili ka bërë një rritje të madhe nga 30 në 90 milionë euro, si dhe lojtarë të akademisë si Asencio dhe Gonzalo.
Në mesfushë, edhe Eduardo Camavinga dhe Aurelien Tchouameni kanë pësuar rënie të ndjeshme – Camavinga nga 100 në 50 milionë euro dhe Tchouameni nga 100 në 75 milionë.
Në mbrojtje, Eder Militao ka rënë nga 60 në 25 milionë euro, ndërsa Rodrygo Goes ka humbur plot 60 milionë, duke zbritur në 50 milionë.
I vetmi lojtar i formacionit bazë që ka ruajtur vlerën e tij është Federico Valverde, i cili mbetet në 120 milionë euro, në një periudhë të vështirë për pjesën tjetër të skuadrës./GazetaExpress/