Kryeministri i ri i Hungarisë, Peter Magyar, ka njoftuar se do të ndalojë përkohësisht transmetimin e lajmeve në mediat shtetërore, pas akuzave për përhapje propagande dhe informacionesh të rreme gjatë fushatës zgjedhore.
Deklarata e tij erdhi pas një përplasjeje në një intervistë televizive, ku ai kritikoi ashpër rolin e mediave publike, duke thënë se ato kanë funksionuar si një makineri manipulimi dhe kanë shpërndarë lajme të pavërteta për të dhe familjen e tij.
Magyar theksoi se këto media duhet të reformohen rrënjësisht për t’u kthyer në institucione të pavarura dhe të paanshme. Ai madje e krahasoi situatën me propagandën në Koreja e Veriut, duke pretenduar se prej vitit 2010 nuk është transmetuar informacion i saktë. Nga ana tjetër, zyrtarët e transmetuesit shtetëror i kanë mohuar këto akuza.
Në një deklarim për radion shtetërore Kossuth, ai u shpreh se synon të rikthejë lirinë e mediave dhe të ndërtojë një sistem të ri rregullator. Sipas tij, qytetarët hungarezë meritojnë një media publike që informon drejt dhe me përgjegjësi.
Ai shtoi se miratimi i një ligji të ri për median dhe krijimi i një autoriteti të ri do të kërkojë kohë. Deri atëherë, pas formimit të qeverisë së Tisza-s, transmetimet informative do të pezullohen përkohësisht, derisa mediat publike të rikthejnë standardet profesionale.