Çmimet e naftës janë në rënie sot, duke u tregtuar nën nivelin prej 100 dollarësh për fuçi, pasi investitorët shfaqën një optimizëm të kujdesshëm për bisedimet në vazhdim mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Të dyja palët vazhdojnë të komunikojnë, ka bërë të ditur një zyrtar amerikan për CNN, pasi bisedimet për paqe në Pakistan dështuan. Zyrtarët amerikanë po diskutojnë detajet për një takim të dytë të mundshëm ballë për ballë me përfaqësuesit iranianë, sipas një burimi tjetër.
Në orën 5:54 të mëngjesit, sipas kohës lokale (ET) nafta Brent, standardi global, kishte rënë me 0.8% gjatë ditës, në 98.6 dollarë për fuçi. Ndërsa WTI, standardi amerikan, ra me 2%, në 97.1 dollarë për fuçi.
Në një analizë të publikuar sot, analistët e Deutsche Bank theksuan “rritjen e shpresave që SHBA dhe Irani mund të arrijnë ende një lloj marrëveshjeje”.
Edhe tregjet e aksioneve reflektuan një klimë më pozitive mes investitorëve. Indekset kryesore në Europë u tregtuan në rritje gjatë orëve të mëngjesit, ndërsa kontratat e ardhshme në SHBA sinjalizuan një hapje disi më të fortë. Shumica e tregjeve kryesore në Azi shënuan fitime, me indeksin japonez Nikkei 225 dhe atë të Koresë së Jugut KOSPI që u rritën përkatësisht deri në 2.4% dhe 2.7%.
“Sa i përket tregjeve, pritshmëria mbetet që kjo situatë ka gjasa të jetë një konflikt i përkohshëm”, thanë analistët e Deutsche Bank./Express/