Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance tha të hënën në mbrëmje se ishte “i trishtuar”, por jo shumë i befasuar që kryeministri hungarez Viktor Orban humbi garën për rizgjedhje, duke theksuar se vendimi i tij për të bërë fushatë së bashku me të në Budapest javën e kaluar kishte më shumë të bënte me mbështetjen ndaj një aleati besnik sesa me ndihmën për ta çuar drejt fitores.
“Ne nuk shkuam sepse prisnim që Viktor Orban të fitonte lehtësisht zgjedhjet,” tha Vance gjatë një interviste në Fox News. “Shkuam sepse ishte gjëja e duhur për të qëndruar pas një personi që ka qëndruar pranë nesh për një kohë shumë të gjatë”, u shpreh ai, transmeton në shqip gazeta online Reporteri.net.
Këto komente shënuan komentimin e parë nga Shtëpia e Bardhë për humbjen e Orbanit në zgjedhjet në Hungari.
“Trashëgimia e tij në Hungari është transformuese — 16 vite, duke e ndryshuar thelbësisht atë vend,” tha Vance, duke shpjeguar se vendimi i tij për të bërë fushatë me Orbán javën e kaluar “nuk ishte sepse nuk dimë të lexojmë sondazhet. Ne e dinim se kishte një mundësi shumë të madhe që Viktor të humbte zgjedhjet. E bëmë sepse ai është një nga të paktët liderë evropianë që kemi parë që ka qenë i gatshëm t’i kundërvihet burokracisë në Bruksel”, u shpreh ai.