Trajneri i Barcelonës, Hansi Flicku, ka deklaruar se nuk është i shqetësuar për forcën mbrojtëse të skuadrës së tij para ndeshjes së kthimit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Atletico Madridit, duke theksuar aftësinë e ekipit për të shënuar më shumë gola.
Katalanasit duhet të përmbysin një disavantazh prej dy golash në “Metropolitano” për të kaluar në gjysmëfinale.
Flicku këmbënguli që skuadra duhet të fokusohet te performanca dhe jo te rezultati.
“Duhet të bëjmë hapin e parë, që është nesër. Duhet të fokusohemi më shumë te një paraqitje e fortë, jo te rezultati. Kur luajmë mirë, jemi gjithashtu në gjendje të shënojmë gola”, tha ai fillimisht në konferencë për shtyp.
“Nuk është një finale, definitivisht. Por në fund do të doja ta fitoja. Këtë duam të bëjmë nesër. Gjithçka është e fokusuar 100% këtu”, shtoi ai.
Ai u shfaq optimist për formën e skuadrës dhe për lidhjen me tifozët.
“Mentaliteti dhe qëndrimi janë shumë të rëndësishëm. Lidhja mes ekipit dhe tifozëve është e jashtëzakonshme. Mendoj se kjo tregon respektin për performancat që kemi bërë në 1.5 vitet e fundit. Nesër çdo person është i rëndësishëm”, u shpreh trajneri gjerman.
“Ne kemi treguar shpesh kundër Atletico Madridit se kemi qenë ekipi më i mirë”, bëri me dije ai.
Kur u pyet për rrezikun mbrojtës, Flicku u tregua i qetë.
“Jo, nuk jam i shqetësuar për mbrojtjen. Është stili ynë i lojës. Mund të mbrohemi më mirë, por është çështje ekipi. Duhet të jemi të lidhur, të mbrojmë si një unitet, të ngushtojmë hapësirat. Ne duam të luajmë futboll”, tha ai.
Ai shtoi gjithashtu se ndeshja mund të vendoset nga momenti i lojës dhe presioni i lartë ndaj kundërshtarit, ndërsa pranoi se situata e gjyqtarëve nuk e shqetëson më.
“Jam i qetë tani. Gjithçka ka ndryshuar. Nuk kam dyshime”, vazhdoi ai.
Ndeshja Atletico Madrid – Barcelona luhet të martën në ora 21:00 në “Metropolitano”, në përballjen e gjashtë mes tyre këtë sezon.
Deri tani Barcelona ka fituar tre herë, por rezultati i përgjithshëm është i barabartë në golat e shënuar (8–8)./GazetaExpress/