Barcelona ka vënë në shënjestër një nga talentet më premtues të Bundesliga për merkaton e ardhshme, por transferimi i tij duket shumë i vështirë.
Sipas raportimeve të “Sport”, katalanasit ëndërrojnë transferimin e Yan Diomande nga RB Leipzig.
Drejtuesit e Barçës e shohin 19-vjeçarin si kandidatin ideal për krahun e majtë të sulmit, një pozicion që mund të lirohet nëse largohet Marcus Rashford.
Aktualisht, Rashford është në huazim te Barcelona nga Manchester United deri në fund të sezonit, por qëndrimi i tij afatgjatë është i pamundur për shkak të pagës së lartë. Opsioni i blerjes prej 30 milionë eurosh nuk është aktivizuar.
Megjithatë, Barcelona është e vetëdijshme se transferimi i Diomande është jashtëzakonisht i komplikuar.
Lojtari ka kontratë me Leipzig deri në vitin 2030 dhe kërkesat e klubit gjerman thuhet se kalojnë 100 milionë euro – një shumë pothuajse e papërballueshme për katalanasit, duke pasur parasysh situatën e tyre financiare.
Për më tepër, konkurrenca është shumë e fortë. Bayern Munich, Manchester United dhe Liverpool janë gjithashtu të interesuara për talentin nga Bregu i Fildishtë.
Për këtë arsye, “Sport” e përshkruan këtë transferim si një “ëndërr pothuajse e pamundur” për Barcelonën.
Sipas “Sky”, Leipzig madje po planifikon t’i zgjasë kontratën Diomandes për të parandaluar largimin e tij verën e ardhshme, duke i ofruar edhe rritje page. Leipzig e bleu lojtarin nga Leganés për 20 milionë euro para fillimit të këtij sezoni, dhe ai ka shpërthyer me 10 gola dhe 7 asistime në 26 ndeshje, duke u kthyer në një nga yjet në rritje më të mëdhenj të Bundesligës./GazetaExpress/