Edhe një tjetër mesfushor i Chelseat ‘flirton’ me Realin - Gazeta Express
string(54) "edhe-nje-tjeter-mesfushor-i-chelseat-flirton-me-realin"

Futboll

Gazeta Express

03/04/2026 22:40

Edhe një tjetër mesfushor i Chelseat ‘flirton’ me Realin

Futboll

Gazeta Express

03/04/2026 22:40

Chelsea po përballet me pasiguri në mesfushë, pasi edhe Moisés Caicedo ka lënë të hapur mundësinë e një transferimi të ardhshëm te Real Madridi.

Në një intervistë për “AS”, mesfushori ekuadorian u pyet drejtpërdrejt nëse mund ta imagjinonte veten me fanellën e bardhë në “Santiago Bernabéu”.

Edhe pse mbetet një nga shtyllat kryesore të projektit në “Stamford Bridge”, përgjigjja e tij sugjeroi se nuk e përjashton një lëvizje në të ardhmen.

“Në futboll kurrë nuk i dihet, apo jo? Kam kontratë me Chelsean tani. Sinqerisht, nuk kam menduar për një klub tjetër apo për t’u larguar nga Londra, por në fund, kurrë nuk i dihet. Dua vetëm të shijoj futbollin. Kam kontratë dhe dua të vazhdoj të luaj sa të më lejojë Zoti. Pastaj do të shohim çfarë ndodh,” tha Caicedo.

Ai gjithashtu vlerësoi klubin londinez: “Chelsea është një klub i madh. Më kanë ndihmuar shumë që kur erdha. Dua t’ua shpërblej në çdo ndeshje, për aq kohë sa jam këtu. Koha do ta tregojë”.

Koha e këtyre deklaratave është delikate, sidomos pas rastit të Enzo Fernández, i cili u ndëshkua nga klubi për komente të ngjashme mbi një të ardhme të mundshme larg Londrës.

Trajneri Liam Rosenior konfirmoi se Fernández do të mungojë në dy ndeshjet e ardhshme, përfshirë atë ndaj Manchester Cityt.

“Fola me Enzon dhe si klub morëm një vendim. Ai nuk do të jetë i disponueshëm për ndeshjen e radhës dhe as për atë ndaj Manchester City,” tha Rosenior.

“Është zhgënjyese të flitet në atë mënyrë. Si person dhe si lojtar kam respekt maksimal për të, por një vijë u kalua sa i përket kulturës që duam të ndërtojmë. Duhej të merrnim një masë disiplinore”, vazhdoi ai.

Ky zhvillim tregon një qasje më të ashpër të Chelsea ndaj lojtarëve që shprehin publikisht dëshirën për t’u larguar, duke e bërë situatën e Moisés Caicedo edhe më të ndjeshme në javët në vijim./GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement