Eksperti i Milanit, Carlo Pellegatti, ka deklaruar se Massimiliano Allegri mund të marrë një telefonatë nga Federata Italiane e Futbollit (FIGC) për të marrë drejtimin e Kombëtares së Italisë, por “Rossonerët” duhet të sigurohen që trajneri i tyre të mos tundohet.
Allegri përmendet si një nga kandidatët e mundshëm për të zëvendësuar Gennaro Gattuson në krye të kombëtares së Italisë.
“Para disa muajsh, dhe kjo është ajo që më shqetëson tani, më është thënë se nëse Italia eliminohet, Allegri mund të marrë një telefonatë për të zëvendësuar Gattuson,” u shpreh Pellegatti.
“Kujdes, sepse mund t’i drejtohen Allegrit dhe në orët në vijim më është thënë gjithashtu se edhe Antonio Conte është një nga kandidatët”, shtoi ai.
Gazetari i njohur italian i këshilloi drejtuesit e Milanit që të mbajnë të kënaqur trajnerin e tyre.
“Çfarë mund të thotë Allegri? Pikërisht për këtë arsye Milani duhet të plotësojë kërkesat e tij, t’i japë besim, në mënyrë që ai të mos tundohet nëse merr një ofertë”, vazhdoi ai.
Ndërkohë, Gennaro Gattuso ka dhënë sot dorëheqjen zyrtare, teksa raportimet sugjerojnë se FIGC i kishte kërkuar të qëndrojë edhe për dy ndeshje në qershor, para përfundimit të kontratës.
Situata në federatë është e paqëndrueshme, pasi presidenti Gabriele Gravina dhe shefi i delegacionit Gianluigi Buffon kanë dhënë dorëheqje, para Gattusos.
Një president i ri i FIGC-së do të zgjidhet më 22 qershor, çka do të thotë se “Azzurrët” nuk pritet të kenë një trajner të ri para kësaj date.
Sipas raportimeve, përveç Antonio Conte, në listë është edhe Roberto Mancini, i cili mund të rikthehet në krye të kombëtares pas largimit të Gattusos./GazetaExpress/
Fluturime nga Düsseldorfi për në Prishtinë dhe anasjelltas me çmime shumë të volitshme Reisebüro Prishtina ofron sherbime të sigurta,...