Real Madridi raportohet se është i zhgënjyer me mënyrën si kombëtarja e Anglisë e menaxhoi Jude Bellinghamin gjatë pushimit ndërkombëtar, pasi e grumbulloi në skuadër, por nuk i dha asnjë minutë loje.
“Tre Luanët” zhvilluan dy miqësore në “Wembley”, kundër Uruguait dhe Japonisë, ku barazuan me të parët dhe pësuan një humbje surprizë ndaj japonezëve.
Trajneri Thomas Tuchel kishte ftuar një listë të zgjeruar me 35 lojtarë, ku përfshihej edhe Bellinghami, pavarësisht se ai sapo ishte rikthyer nga një dëmtim në kofshë.
Mesfushori kishte bërë vetëm një paraqitje të shkurtër nga stoli në fitoren e Real Madridit ndaj Atletico Madridit dy javë më parë, por gjithsesi udhëtoi drejt Anglisë për t’u bashkuar me kombëtaren.
Megjithatë, ai nuk luajti asnjë minutë, çka sipas “Marca” është parë nga madrilenët si “një udhëtim i panevojshëm”.
Real Madridi aktualisht është në garë për titullin në La Liga, duke qenë katër pikë pas Barcelonës, dhe gjithashtu po përgatitet për një përballje të madhe në Ligën e Kampionëve kundër Bayern Munichut.
Klubi dëshiron që Bellinghami të jetë në formën maksimale për këto ndeshje vendimtare.
Nga ana tjetër, Tuchel shpjegoi vendimin e tij duke theksuar rrezikun e rikthimit të dëmtimit.
“Mendoj se është shumë rrezik. Tendenca është që ai të mos luajë. Ishte shumë i mirë në stërvitje, por nuk ishte i përfshirë 100%. Nuk duam të rrezikojmë një rikthim të dëmtimit në këtë moment të sezonit”.
Megjithatë, në Madrid besohet se ky vendim nuk ka ndihmuar shumë në përgatitjen e lojtarit për ndeshjet e ardhshme.
Ndërkohë, bashkëlojtari i tij te Real Madridi, Trent Alexander-Arnold, përfitoi më shumë pushim pasi nuk u grumbullua fare nga Tuchel – madje ekziston mundësia që ai të mbetet jashtë edhe nga lista për Kupën e Botës./GazetaExpress/