Qentë njihen si “miku më i mirë i njeriut”, por a dimë vërtet të kuptojmë kur ata ndihen keq?
Veterinerë nga Universiteti i Utrecht-it kanë identifikuar 17 shenja kryesore që tregojnë se një qen mund të jetë duke përjetuar dhimbje – disa të dukshme, të tjera shumë të fshehta.
Shenjat më të qarta përfshijnë ndryshime në sjellje, hezitim për të vendosur putrën në tokë apo ulje të dëshirës për të luajtur. Por ka edhe sinjale më të vështira për t’u interpretuar, si lëpirja e hundës, gogësitja apo nuhatja në ajër.
Studimi, i publikuar në PLOS One, tregon se vetëm rreth gjysma e pronarëve të qenve arrijnë të dallojnë shenja si shqetësimi gjatë natës apo ngjitja e tepruar pas pronarit.

Sipas studiuesve, këto shenja të lehta mund të jenë paralajmërime të hershme jo vetëm për dhimbje, por edhe për sjellje agresive. Një qen që vuan mund të reagojë në mënyrë të paparashikueshme ndaj situatave që normalisht nuk do ta shqetësonin.
Në studim morën pjesë 530 pronarë qensh dhe 117 persona që nuk kishin qen. Ata u testuan për aftësinë për të dalluar shenja të ndryshme dhimbjeje përmes pyetësorëve dhe skenarëve të ndryshëm.
Rezultatet treguan se njerëzit janë më të mirë në dallimin e shenjave të lidhura me lëvizjen, si çalimi. Por shpesh neglizhohen ndryshimet e papritura në sjellje.
Sipas autores kryesore, Dr. Ineke R. van Herwijnen, disa nga shenjat që shpesh keqkuptohen janë shqetësimi gjatë natës dhe kërkimi i vazhdueshëm i afërsisë me pronarin.
Madje, edhe sjellje që mund të duken “argëtuese”, si lëpirja e ajrit, mund të jenë tregues të dhimbjes.
Në mënyrë surprizuese, studimi tregoi se pronarët e qenve nuk janë domosdoshmërisht më të mirë se të tjerët në njohjen e këtyre shenjave. Në disa raste, ata i interpretojnë gabimisht si stres apo frikë, dhe jo si dhimbje.
Ekspertët këshillojnë që pronarët të jenë më të vëmendshëm ndaj çdo ndryshimi të pazakontë në sjelljen e qenit.
Shpesh, sjellje që i atribuohen mërzisë, mosbindjes apo kokëfortësisë mund të kenë në fakt një shkak fizik – dhimbjen.
Njohja e hershme e këtyre shenjave mund të ndihmojë në trajtimin më të shpejtë të problemit dhe në përmirësimin e mirëqenies së kafshës. /GazetaExpress/