Çifti nga Prishtina, Albulena dhe Ilirik Musliu, kanë ndarë publikisht rrëfimin e tyre në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, gjatë një interviste në emisionin “Kosova Live” në T7, duke folur për përvojën e tyre si prindër të një fëmije me autizëm.
Ilirik Musliu theksoi se rrugëtimi i tyre ka nisur herët, pasi djali i tyre, Dielli, është diagnostikuar me autizëm që në moshën dyvjeçare. Tashmë familja thotë se ka kaluar fazën personale të përballjes dhe e ka shndërruar këtë përvojë në një mision më të gjerë shoqëror.
Sipas tij, mungesa e vetëdijesimit dhe mbështetjes institucionale bën që shumë familje të përballen në heshtje me këtë sfidë, duke u izoluar dhe duke e trajtuar atë si një çështje thjesht individuale apo familjare.
“Shoqëria ende nuk është e përgatitur për këto raste, dhe kur mungon përkrahja, familjet detyrohen të mbyllen në vetvete”, u shpreh ai.
Çifti Musliu theksoi se dalja e tyre publike nuk ka ardhur vetëm si rezultat i përvojës personale, por si një thirrje për ndërgjegjësim dhe për më shumë angazhim institucional ndaj familjeve që përballen me autizmin.
Ata kërkuan që institucionet të marrin përgjegjësi më të madhe dhe të ofrojnë mbështetje konkrete, në mënyrë që kjo çështje të mos mbetet më një barrë individuale, por të trajtohet si një përgjegjësi e përbashkët e shoqërisë.
Video: