Dhuna në familje vazhdon të mbetet fenomen shqetësues në Kosovë, ndërsa në 75% të rasteve gratë janë viktima. Kështu u tha në tryezën e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) me temën “Një vlerësim mbi trajtimin institucional të rasteve të dhunës në familje: Si u trajtuan gjatë vitit 2025?”.
Prokurorja Laura Pula dhunën në familje e konsideron sfidë serioze për shtetin e së drejtës.
Koordinatorja për dhunës në familje në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit vlerëson se reagimi institucion karshi këtij fenomeni nuk është vetëm detyrim ligjor, por edhe moral e shtetëror.
“Unë konsideroj se dhuna në familje është një nga sfidat më serioze të shtetit të së drejtës dhe një provë reale për funksionimin e drejtësisë penale në çdo shoqëri demokratike. Gjithë pajtohemi se ajo nuk ndodh në hapësira publike, në sallë, nuk zhvillohet as para kamerave, ajo ndodh në heshtje pas dyerve të mbyllura aty ku viktima shpesh mbetet e vetme përballë frikës, presionit dhe dhunës së vazhdueshme. Prandaj është më se i domosdoshëm reagimi institucional ndaj dhunës në familje dhe nuk është vetëm detyrë ligjore por është detyrim morale dhe është detyrim shtetërore. Mund të themi se në Kosovë ne prokuroria përfaqëson mekanizmin kyç të reagimit të shtetit së bashku me Policinë e Kosovës”, tha ajo.
E, përkundër që sistemi i drejtësisë ka bërë përmirësime në trajtim të rasteve të dhunës në familje, sipas drejtoreshës ekzekutive të GLPS-së, Njomza Arifi, ka ende sfida.
Ndërsa, menaxher i projektit, Liridon Salihi deklaroi se forma më e përhapur e dhunës në familje është ajo kundër gruas e cila prin me gjithsej 75% të rasteve.
Sipas tij sfidë mbetet implementimi i legjislacionit ekzistues.
Raporti thotë se numri më i madh i rasteve të raportuara të dhunës në familje janë nga Rajoni i Prishtinës.Raporti tregon se sfiduese mbetet politika ndëshkimore, ku vetëm në 14% të rasteve shqiptohet dënimi kumulativ.
Sipas Salihit, sfidë tjetër për gjyqësorin janë edhe seancat e anuluara në mungesë të të pandehurve.
Në këtë tryezë kishte edhe përfaqësues të Këshillit Gjyqësor të Kosovës të cilët deklaruan se gjykatat rastet e dhunës në familje i trajtojnë me urgjencë.
Raporti i GLPS-së për trajtimin e rasteve të dhunës në familje tregon se moshat më të prekura janë 20-50 vjeç, ndërsa në 50% të rasteve dhuna në familje ndodh mes çifteve, duke mos përjashtuar edhe raportet tjera familjare.
Raporti “Një vlerësim mbi trajtimin institucional të rasteve të dhunës në familje: Si u trajtuan gjatë vitit 2025?” është mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovës, ndërsa, përfshinë rastet e dhunës në familje nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2025.