Cole Palmer po “shtyn” për t’u larguar nga Chelsea këtë verë, sipas një raportimi të bujshëm nga Anglia.
Spekulimet për të ardhmen e tij kanë qenë të shumta muajt e fundit, me pretendime se ai nuk ndihet i qetë në Londër dhe dëshiron të rikthehet në Manchester.
Sezoni i tij është ndikuar nga lëndimet, por ai ka arritur të bëjë 20 paraqitje në Premierligë, duke shënuar nëntë gola.
Para verës, Palmer mund të përballet edhe me një duel direkt me ish-shokun e tij te Manchester Cityt, Phil Foden, për një vend në skuadrën e Anglisë për Kupën e Botës.
Sipas “The Sun”, një Palmer i “zhgënjyer” mund të përfundojë në anën e kuqe të Manchesterit deri në fillimin e turneut në qershor, pasi Manchester Unitedi është i interesuar për transferimin e tij.
Gjithashtu, Bayern Munichu dhe Real Madridi përmenden si destinacione të mundshme për 23-vjeçarin.
Nëse do të transferohej në Madrid, ai do t’i bashkohej një bërthame gjithnjë e më angleze, përkrah Trent Alexander-Arnoldit dhe Jude Bellinghamit.
Ndërkohë, Bayern Munichu ka qenë aktiv në tregun e Premierligës kohët e fundit, duke bërë transferime të mëdha si Harry Kane, Luis Diaz dhe Michael Olise.
Megjithatë, një kalim te Manchester Unitedi do të ishte ndoshta më intrigues, pasi edhe pse doli nga akademia e Manchester Cityt, Palmer ka qenë tifoz i Unitedit që i vogël. Ai kishte deklaruar më herët se ndiqte vazhdimisht Wayne Rooneyn.
Mbetet për t’u parë nëse Unitedi mund ta përballojë financiarisht këtë transferim, duke pasur parasysh nevojën për rindërtim dhe faktin që Palmer ka një kontratë shumë të gjatë me Chelsean.
Ai nënshkroi një kontratë 9-vjeçare në verën e vitit 2024, ndërsa vlera e tij aktuale vlerësohet rreth 150 milionë paund./GazetaExpress/