Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka zbuluar se kreu i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, është personi me të cilin Uashingtoni ka qenë në kontakt javët e fundit për negociatat me Iranin.
Në një intervistë për New York Post, Trump deklaroi se “brenda rreth një jave” pritet të bëhet e qartë nëse Ghalibaf është një partner me të cilin SHBA mund të bashkëpunojë realisht.
Presidenti amerikan foli gjithashtu për një ndryshim të thellë brenda Iranit, duke pretenduar se strukturat e vjetra të pushtetit janë zëvendësuar nga një grup i ri.
“Ka pasur një ndryshim të plotë të regjimit, pasi strukturat e mëparshme janë larguar dhe tani kemi të bëjmë me një grup të ri njerëzish”, u shpreh Trump. “Dhe deri tani, ata kanë qenë shumë më të arsyeshëm”.
Ai komentoi edhe mbi gjendjen shëndetësore të liderit të ri suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei, djali i Ajatollahut të ndjerë Ali Khamenei. Sipas Trump, ekziston pasiguri e madhe pasi ai nuk është shfaqur publikisht që nga nisja e sulmeve nga SHBA dhe Izraeli më 28 shkurt.
“Askush nuk ka lajme për të”, tha Trump, duke shtuar se lideri iranian “është shumë rëndë i plagosur”.
I pyetur nëse Mojtaba Khamenei është ende gjallë, Trump u përgjigj: “Nuk e dimë. Besojmë se ndoshta po, por në gjendje shumë të rëndë”. /Panorama