Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë kërkesën e kryeparlamentares Albulena Haxhiu dhe nëntë deputetëve të tjerë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit.
Haxhiu dhe nëntë deputetë i kishin kërkuar Gjykatës Kushtetuese ta vlerësojnë kushtetutshmërinë e “procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës”, duke pretenduar se “deputetët e opozitës, me mos pjesëmarrje në seancën e jashtëzakonshme dhe votim për zgjedhjen e Presidentit të mbajtur me 5 mars 2026 kanë shkelur Kushtetutën dhe janë në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre të përcaktuara nga Aktgjykimi i lartpërmendur [KO124/25]”.
Kushtetuesja thotë se lidhur me këtë çështje, Gjykata “tashmë ka konsoliduar praktikën e saj gjyqësore në këtë kontekst, respektivisht në rastet KO47/16 dhe KO29/11”.
Në rrethanat e rastit aktual, Gjykata konsideroi se “nuk paraqiten rrethana të reja që do të arsyetonin një shqyrtim të mëtejshëm të kësaj çështjeje”.
“Rrjedhimisht, Gjykata bazuar në pikën (b) të paragrafit 2 të rregullit 54 të Rregullores së punës konstaton se kjo çështje përbën çështje të gjykuar (res judicata) dhe, si e tillë, hyn në kategorinë e kërkesave që përfaqësojnë përsëritje të një kërkese të mëparshme të shqyrtuar dhe të vendosur nga Gjykata”, thuhet në vendim.
Edhe çështjen e afateve për zgjedhjen e Presidentit, për të cilat shkroi Haxhiu në kërkesë, Kushtetuesja tha se e ka sqaruar.
“Prandaj për sa i përket pikës së parë të vlerësimit, nuk është më kontestues fakti i “kalimit të afateve kushtetuese”, për shkak se përmes Aktgjykimit në rastet e bashkuara KO72/26 dhe KO74/26, cituar më lart, Gjykata thekson se kjo pikë përfshin vlerësimin kushtetues, i cili ishte objekt shqyrtimi në rastet e bashkuara KO72/26 dhe KO74/26 (shih, rastin e Gjykatës KO72/26 dhe KO74/26, cituar më lart)”, thuhet në vendim.
Kësisoj, Kushtetuesja konsideron se “nuk ka çështje për shqyrtim, ngase kjo tashmë është sqaruar qartë edhe përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës” përmes dy rasteve në të kaluarën.
“Pra, si parim i përgjithshëm procedural, Gjykata nuk nxjerrë vendime për raste ku çështja më nuk përfaqëson kontest, apo pretendimi nuk është më në mënyrë aktive i diskutueshëm (shih, rastet e Gjykatës, KO98/20, cituar më lart, paragrafi 84; dhe KO63/12, cituar më lart, paragrafi 23)”, thuhet në vendim.