Zyrtarja e LDK-së, Sibel Halimi, ka reaguar lidhur me ekspozitën e vendosur ditë më parë në sheshin e Prishtinës, ekspozitë e cila është larguar për shkak të pasaktësive të mëdha të përshkrimit të rrethanave dhe numrit të viktimave.
Halimi ka thënë se çdo përpjekje për të dokumentuar të kaluarën e ndjeshme, nuk është thjeshtë një akt shënimi, por hyrje në brendësinë e kujtesës kolektive, aty ku e vërteta kërkon jo vetëm fakte, por edhe etikë e dhembshuri.
Reagimi i plotë:
Kosova ende i mban plagët e hapura, si një kujtesë që nuk mbyllet me kalimin e kohës, por kërkon një përballje të ndjeshme dhe të përgjegjshme.
Çdo përpjekje për të dokumentuar, në çfarëdo forme qoftë, nuk është thjesht akt shënimi, por një hyrje në territore të brishta të kujtesës kolektive, aty ku e vërteta kërkon jo vetëm fakte, por edhe etikë dhe dhembshuri.
Ekspozita, në vend që të shërbejë si hapësirë reflektimi, riktheu dhimbje të pashëruara për shumë të mbijetuar. Dhe pikërisht këtu qëndron pesha e përgjegjësisë, kur i afrohemi traumës, nuk mjafton ta tregojmë, duhet ta dëgjojmë.
Le të jetë ky gabim për të gjithë se historia nuk është thjesht rrëfim i së shkuarës, ajo është një ndjeshmëri që kërkon kujdes, përulësi dhe dinjitet në mënyrën si trajtohet.