Politologu Dorajet Imeri ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq lidhur me vizitën e kryeministrit të Kosovës në Paris, duke i cilësuar ato si propagandë të pabazë dhe të destinuara për manipulim.
Sipas Imerit, Vuçiq po përpiqet të ndërtojë një narrativë të re, duke krijuar përshtypjen se çdo veprim i Kosovës ndodh nën dijeninë e tij, gjë që, sipas tij, është pjesë e një strategjie propagandistike për të përçuar pasiguri te qytetarët dhe institucionet e Kosovës.
Ai thekson se përmes këtyre deklaratave synohet të paraqitet Serbia në një pozitë më të favorshme, ndërkohë që, sipas tij, realiteti tregon të kundërtën.
Imeri vlerëson se avancimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare përfaqëson rritje të sigurisë dhe prosperitetit, si për vendin ashtu edhe për rajonin, duke shtuar se kjo përputhet me vlerat demokratike dhe perëndimore.
Sipas tij, propaganda serbe ka në thelb një qasje antiperëndimore dhe antidemokratike, ndërsa retorika e Vuçiqit lidhet shpesh me zhvillimet e brendshme në Serbi, përfshirë periudhat zgjedhore.
“Vuçiq, si mbetje e Millosheviqit, vazhdon të luajë një rol të njohur për të, atë të propaganduesit të keq. Si mjeshtër i kësaj fushe, i dëshmuar që në kohen e regjimit gjenocidal serb, ai po përpiqet të ndërtojë një narrativë të re në raport me vizitën e kryeministrit të Kosovës në Paris. Përmes kësaj, synon të krijoj përshtypjen se kinse çdo lëvizje e Kosovës, është nën dijeninë e tij”, shprehet ai.
“Kjo është lehtësisht e lexueshme si strategji propoagandistike, të përçojë pasiguri te qytetarët dhe institucionet e Kosovës, ndërsa njëkohësisht të paraqes Serbinë si në avantazh ndaj vendit tonë.Në realitet, avancimi i pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare nënkupton më shumë siguri dhe prosperitet jo vetëm për shtetin tonë, por edhe për rajonin në tërësi. Ai gjithashtu përfaqëson konsolidimin e vlerave demokratike dhe perëndimore, çka bije ndesh me qasjen dhe synimet destabilizuese të Serbisë. Prandaj, propaganda serbe ka në thelb një qellim të qartë, ajo është antiperëndimore e antidemokratike”, thotë Imeri.
“Duke mbijetuar për kaq gjatë në politikë, Vuçiq ka filluar të paraqitet si një lloj ‘’profeti’’, ai që i di të gjitha, përmes imagjinatës së tij të shthurur. Në të vërtetë, kjo është pasoja e humbjes së ndikimit real të Serbisë në Kosovë. Për të, propaganda ka mbetura i vetmi mjet për të ruajtur pushtetin. Fakti që ai vazhdon të propagandojë pothuajse çdo ditë, tregon se rrjeti i rij i ndikimit dhe spiunazhit është goditur, ndërsa ai po përpëlitet pashpresë në mungesë të alternativave reale.Sa herë që Vuçiq përballet me vështirësi te brendshme në Serbi, ai aktivizon një retorikë ‘’patriotike’’, sidomos kur dihet se në ditët në vijim pritet të mbahen zgjedhjet lokale në së paku dhjetë komuna, të cilat, nëse nuk i manipulon, do t’i humbë me shume gjasë.Kosova, nuk është më arena e këtyre narracioneve, ndërsa shihen qartë dhe kuptohen qëllimet dhe prapavija e tyre”, ka deklaruar ai.