I akuzuari për vrasjen e Liridona Ademajt, Granit Plava, e ka ndryshuar deklaratën, duke i thënë Gjykatës Themelore në Prishtinë se vrasja u krye në marrëveshje me bashkëshortin e viktimës, Naim Murseli.
Gjatë gjykimit më 26 mars, Plava u tërhoq nga deklarata e dhënë në Polici, duke pohuar se tani po thotë të vërtetën, raporton Betimi për Drejtësi, media e specializuar në fushën e drejtësisë.
Plava tha se deklaratën në Polici e kishte bërë në bazë të marrëveshjes që kishte me Murselin.
Liridona Ademj u vra në nëntor të vitit 2023. Murseli akuzohet për planifikimin e vrasjes, ndërkaq në këtë rast akuzohet edhe Kushtrim Kokalla.
Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Skender Gojani, i akuzuari Plava tha se kishte marrëveshje me Naim Murselin dhe se ka qenë në dijeni për veprën për të cilën sot po akuzohet.
“Asnjëherë nuk më ka treguar kush është personi [që do ta vriste], edhe më ka thënë veç do të marrësh përgjegjësinë ti, asgjë tjetër. Pa u bë dy vjet të nxjerr nga burgu, e di çfarë pushteti kam”, tha Plava.
Ai shtoi se për këtë rast ishte në dijeni edhe Behgjet Pacolli, ish-president i Kosovës dhe ish-udhëheqës i Aleancës Kosova e Re.
Radio Evropa e Lirë ka kërkuar një koment nga Pacolli për këtë deklaratë të Plavës dhe është në pritje të përgjigjes.
Pas vrasjes së Liridona Ademajt, Pacolli kishte shkruar në rrjetet sociale se Murseli ishte bashkëpunëtor i tij prej disa vitesh dhe se ai nuk ishte në dijeni “për ndonjë precedent konflikti për Naimin”.
Sipas Plavës, Murseli i ka thënë se “ti e di çfarë pushteti kemi ne” dhe se “nuk ka shanse” që të qëndrojë në burg “më shumë se dy vjet.
Ai pretendon se Murseli i ka ofruar punë, pagë në vlerë prej 1300 eurosh, një veturë G-Class. Kur e ka pyetur se kë do të vriste, sipas Plavës, Murseli i kishte thënë se nuk ka nevojë që ta dijë, por vetëm të marrë përgjegjësinë.
Kur u pyet nëse i njeh të akzuzuarit e tjetër, Plava tha se Kokallën e njeh pasi janë nga fshati i njëjtë dhe Murselin më pak.
Plava tha se Murselin u takua 7-8 herë dhe në ditën e vrasjes janë takuar pikërisht për marrëveshjen.
Sipas tij, të nesërmen e kishte kuptuar që personi që e vrau ka qenë gruaja e Naim Murselit.
“Më vjen keq për atë ditë çka ka ndodh. Gjithmonë ka thënë se është serbe ose boshnjake, vetëm do të marrësh përgjegjësinë”, tha ai.
Më herët gjatë ditës në gjykatore është deklaruar edhe Murseli. Ai ka insistuar se në natën kur u vra bashkëshortja e tij ishte pre e grabitjes, teksa ka pranuar se armën me të cilën u krye vrasja ia bleu Plavës, por duke pretenduar se ai i kishte thënë se të nesërmen do ta shiste dyfish. Murseli pretendoi se me Plavën u morën vesh që t’i ktheheshin paratë e armës së blerë.
Si ndodhi vrasja?
Liridona Ademaj u vra në moshën 30-vjeçare më 29 nëntor 2023 në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës.
Aktakuza e ngarkon Murselin se e ka planifikuar vrasjen e bashkëshortes me qëllim hakmarrjeje dhe përfitimi financiar nga një sigurim jetësor në Suedi, në shumë prej rreth 260 mijë eurosh.
Sipas Prokurorisë, Murseli e ka planifikuar vrasjen në bashkëpunim me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, duke u premtuar atyre një shpërblim prej 30 mijë eurosh për ta kryer krimin.
Kokalla akuzohet se e kishte njoftuar Murselin me dorasin Plava.
Plava akuzohet se ka kryer vrasjen.
Vrasja e Liridona Ademajt shkaktoi zemërim publik, veçanërisht pasi bashkëshorti i saj mori pjesë në varrim.
Familja kërkoi zhvarrosjen e trupit të saj për ta varrosur në varrezat e familjes Ademaj.
Që nga viti 2010, në Kosovë u vranë rreth 60 gra – shumica nga bashkëshortët e tyre.
Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kritikojnë sistemin e drejtësisë për dënime të lehta të autorëve – gjë që, sipas tyre, i trimëron dorasit./REL/
Reisebüro Prishtina ofron shërbime të sigurta, të shpejta dhe të besueshme, duke mbetur zgjedhja kryesore për ata që udhëtojnë nga...