OBM: Klima e Tokës, më e zhbalancuar se kurrë - Gazeta Express
string(43) "obm-klima-e-tokes-me-e-zhbalancuar-se-kurre"

Lajme

Gazeta Express

26/03/2026 8:04

OBM: Klima e Tokës, më e zhbalancuar se kurrë

Lajme

Gazeta Express

26/03/2026 8:04

Oqeanet kanë thyer rekorde nxehtësie për nëntë vjet rresht, akullnajat po tërhiqen, moti ekstrem po vret mijëra vetë. E vetmja mënyrë për të shmangur më të keqen, është braktisja e menjëhershme e lëndëve fosile djegëse.

Po jetojmë në një botë ku kushtet ekstreme atmosferike sa vijnë e përkeqësohen. Vitin e kaluar, përmbytje me cikël 50-vjeҫar goditën Teksasin, akullnajat e Islandës u shkrinë me shpejtësi rekord, një uragan goditi Xhamajkën me forcë pothuajse të paparë dhe bota u përvëlua nga i nxehti që shënoi temperatura rekord. Shkencëtarët paralajmërojnë se ka mbetur pak kohë për të ndryshuar kurs.

Një raport i publikuar të hënën nga Organizata Botërore e Meteorologjisë (OBM) konfirmon se klima e tokës është më e çekuilibruar se ndonjëherë më parë dhe se pasojat do të vazhdojnë për shekuj, dhe me shumë mundësi, për mijëvjeçarë me radhë.

Gjetjet kryesore në raportin vjetor të OBM-së për Gjendjen e Klimës Globale për vitin 2025 përfshijnë:

· Dekada 2015-2025 ishte më e nxehta e regjistruar ndonjëherë

· Oqeanet arritën nxehtësi të paparë për të nëntin vit radhazi

· Akullnajat dhe akulli detar vazhdojnë të tërhiqen

· Mot ekstrem, rreziqe shëndetësore dhe kosto njerëzore në rritje

· Çekuilibri i energjisë në tokë arriti nivel rekord, që do të thotë se në sistemet planetare hyn më shumë energji diellore, sesa del

· Që nga viti 2012, niveli mesatar botëror i detitpo rritet me ritmin më të shpejtë të dy dekadave të fundit

“Çdo tregues kyç i klimës ka kaluar në statusin me ngjyrë të kuqe ” – tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

“Njerëzimi ka përjetuar 11 vitet më të nxehta të regjistruara në histori. Kur historia përsëritet 11 herë, nuk është më rastësi. Është thirrje për të vepruar.”

Rritja e nxehtësisë, moti ekstrem dhe paqëndrueshmëria botërore

Në varësi të të dhënave që u përdorën, viti i kaluar u rendit i dyti ose i treti i regjistruar ndonjëherë për nga nxehtësia, me afërsisht 1.43 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale. Të dhënat ishin lehtësisht më tgë ulta se rekordi i vitit 2024, që shënoi 1.55 gradë Celsius. Rënia ndodhi si pasojë e ndikimit të përkohshëm ftohës të fenomenit botëror të motit, i njohur si “La Nina”.

Sipas Marrëveshjes së Parisit për Klimën, të vitit 2015, vendet ranë dakord ta kufizojnë ngrohjen globale në 2 gradë Celsius dhe sipas skenarit më ideal në 1.5 gradë Celsius, për të shmangur ndikimet më të këqija të ngrohjes planetare.

Faktori kryesor i rritjes së temperaturave është rritja e përqendrimeve të gazrave serrë në atmosferë, kryesisht e shkaktuar nga djegia e naftës, qymyrit dhe gazit. Dioksidi i karbonit (CO2) arriti nivelin e tij më të lartë atmosferik – në vitin 2024 dhe vazhdoi të rritet edhe në vitin 2025 – sipas raportit.

Gjetjet mbartin urgjencë të veçantë për vitin që vjen. “El Nino”, modeli i ngrohjes së motit, mund të rikthehet më vonë këtë vit, gjë që shkencëtarët i druhen se mund të shkaktojë rritje të ndjeshme të temperaturave, duke shkaktuar mot më ekstrem.

Në vitin 2025, valët e të nxehtit, zjarret në pyje, përmbytjet, thatësirat dhe ciklonet tropikale shkaktuan mijëra vdekje dhe miliarda dollarë humbje ekonomike. Vetëm zjarret në Kaliforni, në janar të vitit 2025, shkaktuan më shumë se 60 miliardë dollarë (52.4 miliardë euro) dëme dhe ishin ngjarja më e kushtueshme, e regjistruar ndonjëherë.

Raporti nënvizoi ndikimin në rritje të ndryshimeve klimatike në shëndetësi, përfshirë ethet e dengës, sëmundjes me rritjen më të shpejtë në botë që përhapet nga mushkonjat. Ndërkohë, 1.2 miliardë punëtorë, mbi një e treta e fuqisë punëtore botërore, janë të ekspozuar çdo vit ndaj nxehtësisë ekstreme dhe të rrezikshme.

Ndryshimi i klimës po nxit gjithashtu urinë, migrimin dhe mungesën e ujit, duke rritur konkurrencën për burimet ujore që po pakësohen. Gjatë dekadës së fundit, fatkeqësitë natyrore kanë detyruar 250 milionë njerëz të zhvendosen nga shtëpitë e tyre.

OKB-ja ka bërë një ndarje të drejtpërdrejtë midis krizës klimatike dhe paqëndrueshmërisë globale. Në të njëjtën kohë, lufta dhe vetë ushtritë janë një kontribues i rëndësishëm në emetimet që shkaktojnë ngrohjen e planetit.

“Varësia jonë ndaj lëndëve fosile djegëse po destabilizon si klimën, ashtu edhe sigurinë” – tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, në një deklaratë.

Guterres shtoi se vendet duhet të “vrapojnë” shpejt drejt dekarbonizimit, për të ndaluar ngrohjen e mëtejshme dhe për të përshpejtuar kalimin tek energjia e rinovueshme.

“Energjitë e rinovueshme ofrojnë siguri klimatike, siguri energjetike dhe siguri kombëtare” – tha ai.

Energjia e tokës është jashtë kontrollit: ҫfarë do të thotë kjo?

Duke u shfaqur për herë të parë si tregues në raportin e OBM-së, çekuilibri energjetik i tokës – hendeku midis energjisë diellore që hyn në atmosferë dhe nxehtësisë që del përsëri në hapësirë – arriti nivelin rekord në vitin 2025. Në një klimë të qëndrueshme, energjia hyrëse dhe dalëse e diellit është e njëjtë.

Në klimën e sotme, hyn shumë më tepër energji sesa del, sepse gazrat serrë veprojnë si “batanije rreth planetit”, duke bllokuar nxehtësinë e tepërt në të gjitha sistemet e tij. Rreth 91% përthithet nga oqeanet, 5% nga toka, 3% nga shtresat e akullit dhe akullnajat, dhe 1% ngroh atmosferën.

“Aktivitetet njerëzore po e prishin gjithnjë e më shumë ekuilibrin natyror, dhe ne do të jetojmë me këto pasoja për qindra e mijëra vjet” – tha Sekretarja e Përgjithshme e OBM-së, Celeste Saulo.

Ngrohja e përshpejtuar: pasoja për oqeanet

Oqeanet janë burimi kryesor i energjisë së nxehtësisë në planet dhe mbrojnë jetën në tokë nga ndikimet më të këqija të ndryshimeve klimatike. Por nxehtësia e oqeaneve theu përsëri rekorde në vitin 2025, për të nëntin vit radhazi, me 90% të sipërfaqes së oqeanit që përjetoi të paktën një valë të nxehti detar, pavarësisht ftohjes së “La Ninës”.

Autorët e raportit thanë se nuk kishte shenja të dobësimit të radiatorit të nxehtësisë, por ata theksuan se ngrohja po rritej në të gjitha shtresat e oqeanit, përfshirë thellësinë.

Kostoja njerëzore e ngrohjes së oqeaneve është e madhe. Rreth 3 miliardë njerëz mbështeten te ushqimet e detit për proteina, megjithatë temperaturat në rritje po zbardhin koralet, po pakësojnë popullatat e peshqve dhe po dobësojnë aftësinë e oqeanit për të thithur dioksid karboni. Detet më të ngrohta po nxisin gjithashtu më shumë stuhi energjie dhe po përshpejtojnë humbjen e akullit në të dy polet, duke nxitur rritjen e nivelit të detit, me qytetet dhe zonat bregdetare në vijën e parë.

Akulli detar i Arktikut dhe Antarktidës ishte ndër nivelet më të ulëta të regjistruara, ndërsa humbja e masës së akullnajave u rendit në pesë vitet më të këqija që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1979. Akullnajat janë thelbësore për furnizimin me ujë të dy miliardë njerëzve. “Me vëzhgimet e sotme ne nuk parashikojmë vetëm motin, por mbrojmë të nesërmen. Ata që do të jetojnë në të ardhmen. Planetin e së nesërmes” – tha Celeste Saulo nga Organizata Botërore e Meteorologjisë. /DW

Advertisement
Advertisement
Advertisement