Pasi Mohamed Salahu konfirmoi largimin nga Liverpooli në fund të këtij sezoni, hedhim një vështrim te rekordet që ai ka thyer që nga transferimi nga Roma në vitin 2017.
Egjiptiani është i njohur si një nga lojtarët më të mirë në historinë e Premierligës, duke pasur rol kyç në titujt e fituar nga Liverpooli në sezonet 2019/20 dhe 2024/25.
Ja disa nga statistikat dhe rekordet më të rëndësishme të tij:
I katërti me më së shumti gola në Premierligë
Vetëm tre lojtarë kanë shënuar më shumë gola se Salah (191): Alan Shearer (260), Harry Kane (213) dhe Wayne Rooney (208).
Golashënuesi më i mirë i Liverpoolit në Premierligë
Nga 191 golat e tij në kampionat, 189 i ka realizuar me Liverpoolin. Ai theu rekordin e Robbie Fowler (128 gola) në mënyrë spektakolare, duke shënuar dy herë në fitoren 7-0 ndaj Manchester United në mars 2023.
Është një nga katër lojtarët e Liverpoolit me mbi 100 gola në Premierligë, bashkë me Steven Gerrard (120) dhe Michael Owen (118).
Afrikani me më së shumti gola në historinë e Premierligës
Salah është golashënuesi më i mirë afrikan dhe jo-anglez në historinë e ligës. Pas tij vijnë Sadio Mane (111) dhe Didier Drogba (104).
Barazim për më shumë asiste në Premierligë për Liverpoolin
Me 92 asiste, ai është në të njëjtin nivel me Steven Gerrard. Një asist tjetër do ta bëjë rekordmen të vetëm. Në total ka 93 asiste në Premierligë (përfshirë një me Chelsean), duke u renditur i shtati në histori, në nivel me David Silvën.
Katër “Këpuca të Arta” në Premierligë
Salah ka fituar katër herë “Këpucën e Artë”, duke barazuar Thierry Henryn (2017/18, 2018/19, 2021/22, 2024/25).
Më së shumti kontribute në gola për një klub në Premierligë
Ai ka arritur 281 kontribute direkte në gola për Liverpoolin (gola + asiste), më shumë se kushdo tjetër në histori, duke kaluar Wayne Rooney.
Rekord në një sezon me 38 ndeshje
Në sezonin 2024/25 regjistroi 47 kontribute në gola (29 gola, 18 asiste), duke kaluar rekordin e mëparshëm prej 44, që mbahej nga Thierry Henry dhe Erling Haaland.
Më së shumti kontribute në një stadium
Në “Anfield”, Salah ka 152 kontribute në gola, më shumë se Wayne Rooney (151 në “Old Trafford”) dhe Thierry Henry (151 në “Highbury”).
I pari që fiton tri çmime kryesore në një sezon
Ai është i vetmi lojtar që ka fituar në të njëjtin sezon çmimet “Lojtari i Vitit”, “Këpucën e Artë” dhe “Playmakeri i Artë” në Premierligë (2024/25).
I treti për kontribute totale në histori
Vetëm Alan Shearer (324) dhe Wayne Rooney (311) kanë më shumë kontribute se Salah (281).
I treti për gola në historinë e Liverpoolit (të gjitha garat)
Me 255 gola, ai renditet pas Ian Rush (346) dhe Roger Hunt (285).
“Hat-tricku” më i shpejtë në Ligën e Kampionëve
Salah shënoi “hat-trick” në vetëm 6 minuta e 12 sekonda ndaj Rangersit në vitin 2022 në Ligën e Kampionëve.
Më së shumti paraqitje evropiane për Liverpoolin
Ai theu rekordin e Jamie Carragher për ndeshjet në kompeticionet evropiane me klubin.
Afrikani i parë me 50 gola në Champions
Arriti këtë shifër në ndeshjen e tij të 97-të në këtë kompeticion.
Më së shumti çmime “PFA Lojtari i Vitit”
Sezoni i jashtëzakonshëm 2024/25 i dha çmimin “Lojtari i Vitit nga lojtarët” për herë të tretë, rekord në histori.
Këto statistika e konfirmojnë statusin e Salah si një nga lojtarët më të mëdhenj në historinë e futbollit anglez dhe të Liverpoolit./GazetaExpress/