Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës është mbledhur sot për, siç tha, diskutimin për zhvillimet e fundit politike, situatën institucionale në vend dhe për procesin e riorganizimit të brendshëm të partisë.
PDK tha se Kryesia e saj vlerësoi se papërgjegjësia e shumicës parlamentare ka prodhuar këtë situatë të panevojshme dhe të dëmshme për stabilitetin e vendit.
“PDK-ja beson se rruga e vetme për dalje nga kjo situatë është kthimi te qytetari përmes zgjedhjeve të reja, të cilat do t’i japin vendit institucione me legjitimitet të plotë dhe drejtim të qartë politik”.
Kryetari i kësaj partie, Bedri Hamza, tha se procesi i riorganizimit të brendshëm të partisë është i lidhur “drejtpërdrejt me gatishmërinë për të ofruar një alternativë serioze dhe të përgjegjshme qeverisëse”.
“PDK po riorganizohet për të qenë më afër qytetarëve dhe për të ndërtuar një ofertë të qartë politike që garanton stabilitet dhe zhvillim. Kosova ka nevojë për institucione funksionale dhe vendimmarrje të përgjegjshme, jo për improvizime dhe kriza të njëpasnjëshme”, tha kryetari Hamza.
Kryesia e PDK-së tha se me shqetësim folën për gjendjen ekonomike në vend, duke vlerësuar se Qeveria po dështon t’i adresojë problemet reale të qytetarëve.
“Partia Demokratike e Kosovës rithekson përkushtimin e saj për stabilitet institucional, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie qytetare, duke u angazhuar që përmes një qasjeje të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse të rikthejë besimin në institucione dhe perspektivën e qartë për vendin”./Express/