Të shtunën e 21 marsit, Sassuolo ishte mysafir i Juventusit në “Allianz Stadium”, dhe ylli kryesor nga ajo natë doli portieri i kombëtares së Kosovës, Arijanet Muric.
Gardiani dardan u shpall lojtari i ndeshjes, si nga Serie A, ashtu edhe nga faqet e speciliazuara për vlerësimet e futbollistëve.
Muric ia siguroi skuadrës së tij një pikë të madhe në Torino, me pritjet e tij të jashtëzakonshme përgjatë tërë ndeshjes.
Ai madje e priti edhe penalltinë e Manuel Locatellit në minutën e 87-të, duke e mbajtur rezultatin në 1-1.
Në përgjithësi, Muric pati shtatë pritje, me gjashtë prej tyre që erdhën nga goditjet brenda zonës së 16-shit.
Përmes një videoje në rrjetet sociale, klubi i tij, Sassuolo krenohet me pritjet që ai i bëri në këtë përballje.
Faqja zyrtare e Sassuolos në mbishkrimin e videos nuk ka shkruar asgjë, vetëm se ka vendosur dy “emoji”, një “X” dhe një me doreza (që përdoren sikur të ishin të portierit).
Muric u transferua te klubi italian në verën e vitit të kaluar në formë huazimi, mirëpo Sassuolo e ka një mundësi të blerjes së kartonit të tij në verën që po vjen.
Momentalisht, portieri dardan është nën pronësinë e Ipswich Town, teksa ma herët në karrierë ka luajtur edhe për Burnleyn, Adana Demirsporin, Willem II, Girona, Nottingham, NAC Breda.
Ai është prodhim i akademisë së Manchester Cityt, mirëpo nuk pati asnjë mundësi me skuadrën e drejtuar nga Pep Guardiola në Premierligë, pos disa paraqitjeve në kupat vendore të Anglisë./GazetaExpress/