Presidentja e Komisionit Evropian, von der Leyen dhe kryeministri i Australisë, Anthony Albanese nënshkruan marrëveshjen e tregtisë së lirë në Canberra. Me këtë synohet të reduktohen barrierat tregtare.
Shtetet evropiane duan urgjentisht partnerë të rinj të besueshëm, veçanërisht kur marrëdhënia me SHBA është bërë e pasigurtë. Tani, një marrëveshje e tregtisë së lirë mes BE-së dhe Australisë është në fuqi pas vitesh negociimi.
BE siguron me marrëveshjen qasje në burimet e para të rëndësishme. Australia është “furnizuesja më e madhe në botë e litiumit dhe zotëron lëndë të para që janë me rëndësi strategjike për teknologjitë e së ardhmes – nga makinat elektrike në Spanjë te turbinat me erë në det të hapur në Detin Baltik”, shkroi presidentja e KE, Ursula von der Leyen në një artikull të botuar në disa gazeta evropiane. Marrëveshja synon të eliminojë tarifat mbi lëndët e para, si dhe mbi produktet e përpunuara.
Marrëveshja pjesë e strategjisë së pavarësimit
Marrëveshja me Australinë është pjesë e strategjisë së BE për pavarësimin nga Kina nga lëndët e para, zgjerimin e marrëdhënieve në rajonin Indo-Paqësor dhe forcimin e bashkëpunimit me demokracitë, me të cilat BE ndan të njëjtat vlera. Sipas Komisionit Evropian, sektorët që mund të përfitojnë veçanërisht nga marrëveshja përfshijnë inxhinierinë mekanike, kimikatet, industrinë e automobilave dhe bujqësinë. Edhe prodhuesit gjermanë të automjeteve gëzohen, se mund të shesin më shumë automjete. “Hapen shumë shanse”, tha presidentja e Shoqatës Gjermane të Industrisë së Automobilëve, Hildegard Müller.
Marrëveshja tregtare tani i nënshtrohet shqyrtimit ligjor, që zakonisht zgjat disa muaj. Brenda BE-së, ajo duhet të përkthehet edhe në të 24 gjuhët zyrtare. Më pas, Parlamenti Evropian dhe Parlamenti Australian duhet ta ratifikojnë marrëveshjen. /DW