Gazetari i “Expressit”, Ardian Jasiqi i tregon gazetës sllovake pse do ta mposhtë Kosova Sllovakinë në Bratisllavë - Gazeta Express
string(111) "gazetari-i-expressit-ardian-jasiqi-i-tregon-gazetes-sllovake-pse-do-ta-mposhte-kosova-sllovakine-ne-bratisllave"

Futboll

Gazeta Express

24/03/2026 14:15

Gazetari i “Expressit”, Ardian Jasiqi i tregon gazetës sllovake pse do ta mposhtë Kosova Sllovakinë në Bratisllavë

Futboll

Gazeta Express

24/03/2026 14:15

Kosova po përgatitet për një ndeshje historike ndaj Sllovakisë në Bratislavë, e cila mund ta afrojë atë me Kupën e Botës.

Gazetari kosovar nga “Gazeta Express”, Ardian Jasiqi apelon që emocionet politike të lihen mënjanë dhe futbolli t’i bashkojë njerëzit.

Jasiqi e ka dhënë një intervistë për mediumin sllovak “sportëeb.pravda.sk”, për të cilin ka folur për luftën dhe për rrugëtimin e vështirë të Kombëtares së Kosovës për të arritur deri këtu ku është sot, një hap larg Botërorit 2026.

Si duken ditët e fundit në Kosovë para ndeshjes? A është dueli në Bratislavë tema kryesore në media?

Jasiqi: Sigurisht që po. Është hera e parë që Kosova, si një kombëtare relativisht e re, ka arritur në këtë fazë. Kualifikimi në ‘play-off’ për Kupën e Botës është një nga sukseset më të mëdha sportive për ne. Prej ditësh mediat po i analizojnë shanset e Kosovës për të kaluar më tej dhe për të arritur në finalen e “play-off”-it.

Mendohet se në publik ka optimizëm dhe se Sllovakia shihet si kundërshtar i kalueshëm…

Jasiqi: Bazuar në përbërjen aktuale të skuadrës dhe në vlerën e lojtarëve tanë, shumë analiza në Kosovë kanë arritur në përfundimin se e kemi një ekip shumë të fortë në çdo repart. Në njëfarë mënyre kjo na bën favoritë për të kaluar më tej.

Vedat Muriqi ka thënë se favoritë janë sllovakët. Ishte kjo një deklaratë diplomatike?

Jasiqi: Personalisht mendoj se avantazhi i vetëm i Sllovakisë është fakti që luan në shtëpi dhe përvoja shumë më e gjatë në skenën ndërkombëtare. Kosova është vetëm rreth dhjetë vjet pjesë e UEFA-s dhe FIFA-s, kështu që arritja deri këtu është një sukses i madh për ne. Në ekip kemi shumë lojtarë të talentuar – jo vetëm Muriqin, por edhe Fisnik Asllanin, Edon Zhegrovën, Amir Rrahmanin dhe të tjerë. Ata kanë ndihmuar që Kosova të rritet shumë në futboll dhe madje e kemi mundur edhe Suedinë, një ekip me histori të madhe në Kupën e Botës.

Në Sllovaki përmenden shumë Muriqi dhe Asllani. A duhet të kenë sllovakët më shumë kujdes ndaj tyre?

Jasiqi: Duhet të flasim për Kosovën si ekip. Kur e shikon formacionin tonë bazë, është shumë i balancuar. Në formë shumë të mirë është edhe portieri Aro Muriç, ndërsa në mbrojtje po del një lider i ri si Albian Hajdari. Edhe lojtarët e tjerë në mbrojtje po luajnë shumë mirë në klubet e tyre.

Si ka mundësi që një vend i vogël ka kaq shumë talent futbolli?

Jasiqi: Kosova ka një popullsi shumë të re, me moshë mesatare rreth 29 vjeç. Kjo ndihmon që çdo vit të dalin lojtarë të rinj të talentuar. Disa luajnë për Kosovën, disa për Shqipërinë dhe disa për kombëtare të tjera evropiane. Madje klubet dhe akademitë e mëdha evropiane po i ndjekin nga afër talentet e reja në Kosovë. Skautët e klubeve të mëdha janë shpesh këtu dhe i vëzhgojnë lojtarët e rinj që në moshë shumë të vogël.

Pra, suksesi nuk vjen vetëm nga fakti që lojtarët janë rritur jashtë vendit?

Jasiqi: Jo. Shumica e tyre janë produkte të akademive të futbollit në Kosovë. Shumë prej emrave të njohur sot kanë kaluar pikërisht nëpër klubet dhe akademitë vendase.

Si është sot futbolli në Kosovë? Si po zhvillohet liga vendase?

Jasiqi: Liga në Kosovë po përparon shumë shpejt dhe klubet po bëhen gjithnjë e më konkurruese edhe në Evropë. Në vitet e fundit disa skuadra kosovare kanë arritur deri në fazën e grupeve të garave evropiane, gjë që tregon se futbolli po rritet vazhdimisht.

Ju vetë e keni përjetuar luftën në Kosovë. Si ju ka ndikuar kjo?

Jasiqi: E kam humbur një axhë dhe një dajë, shtatë kushërinj dhe gjashtëmbëdhjetë shokë gjenerate. Ishte një kohë shumë e vështirë dhe shumë ëndrra u shkatërruan. Prandaj mendoj se sporti dhe futbolli duhet të jenë diçka që i bashkon njerëzit, jo që i ndan.

Çfarë prisni nga kjo ndeshje?

Jasiqi: Shpresoj që të jetë një ndeshje e bukur dhe që tifozët në fund të mund të festojnë së bashku – pavarësisht rezultatit. Futbolli duhet të bashkojë popujt. /Gazeta Express

Advertisement
Advertisement
Advertisement