Ani pse për muaj të tërë ishte ngritur si çështje që mund të krijojë krizë të re e se duhet bashkëpunim nga të gjitha partitë politike, prapëseprapë presidenti i ri nuk u zgjodh brenda afateve të parapara. Presidentja Vjosa Osmani shpërndau Kuvendin duke theksuar se afatet janë përfunduar, opozita argumentoi se presidentja kishte të drejtë, kurse Vetëvendosja, mbajti qëndrim tjetër. Kësisoj, partia në pushtet iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për verdiktin e saj, lidhur me këtë çështje. Për këtë, kjo e fundit vendosi masë duke mos lejuar çfarëdo hapi tjetër deri me 31 mars, shkruan Gazeta Express.
Edhe pse realisht kanë mbetur edhe disa ditë deri në përfundim të masës, ka indikacione se Kushtetuesja mund ta nxjerr aktgjykimin më shpejt. Megjithatë, në deklarimet zyrtare, një gjë e tillë nuk është konfirmuar. Veton Dula, sekretari i përgjithshëm i Kushtetueses, ka thënë se se vendimi do të merret pasi të shqyrtohen aspektet kushtetuese.
“Kjo lëndë është duke u shqyrtuar. Vendimi do të merret pasi të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra në kërkesë nga pala parashtruese, në përputhje me Kushtetutën, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës.”
Ndryshe, me 6 mars, presidentja Osmani, njoftoi se ka shpërndarë Kuvendin, pasi që Kuvendi s’arriti të zgjidhte presidentin e ri.
Presidenti i ri, duhet të zgjidhet 30 ditë para se të përfundoj mandati i presidentit aktual, që në këtë rast është Osmani.
Ky dekret i Osmanit, përveçse ndau në dy krahë pozitë e opozitë, njëjtë pati efekt edhe tek njohësit e Kushtetutës.
Opozita u shfaq përkrahëse ndaj dekretit të Osmanit, duke argumentuar se presidentja ka të drejtë, ndërsa pushteti, doli kundër saj, rrjedhimisht, duke dërguar edhe lëndë kundër këtij dekreti në Kushtetuese.
Edhe njohës të ndryshëm të këtyre çështjeve kanë pasur qëndrime të ndryshme sa i përket dekretit të Osmanit.
Ndërsa Kushtetuesja në anën tjetër, nxori vendim për masë bllokuese të çfarëdo hapi të mëtejmë deri në aktgjykimin e saj, masë e cila është paraparë deri me 31 mars. /GazetaExpress