Numri i madh i vrasjeve në Kosovë, kërkohet analizë e thellë dhe veprime konkrete nga shteti - Gazeta Express
string(91) "numri-i-madh-i-vrasjeve-ne-kosove-kerkohet-analize-e-thelle-dhe-veprime-konkrete-nga-shteti"

Lajme

Gazeta Express

24/03/2026 8:25

Numri i madh i vrasjeve në Kosovë, kërkohet analizë e thellë dhe veprime konkrete nga shteti

Lajme

Gazeta Express

24/03/2026 8:25

Tri raste të vrasjeve me pesë persona të vdekur, ndodhën në Kosovë brenda një jave.

Fillimisht në Gjakovë ku u vra një person, më pas në Klinë ku vëllai vrau villain e tij dhe së fundi në Podujevë, ku mbetën të vrarë tre persona. Këto vrasje kanë tronditur thellë qytetarët dhe kanë rikthyer në qendër të vëmendjes çështjen e sigurisë në vend.

Brenda një periudhe kaq të shkurtër kohore, këto ngjarje tragjike kanë rritur ndjeshëm pasigurinë tek qytetarët, duke nxitur reagime dhe shqetësime të shumta për rritjen e dhunës.

Rastet në fjalë kanë intensifikuar debatet publike dhe institucionale mbi nevojën për masa më të ashpra ligjore dhe veprime konkrete nga organet e rendit dhe drejtësisë.

Njohës të fushës dhe qytetarë po kërkojnë jo vetëm ndëshkime më rigoroze për autorët, por edhe forcim të mekanizmave parandalues, me qëllim që të ndalet trendi shqetësues i rasteve të tilla dhe të rikthehet ndjenja e sigurisë në vend.

Rritja e numrit të vrasjeve në Kosovë po vazhdon të mbetet një çështje shqetësuese, ndërsa ish-zëvendës ministri i Punëve të Brendshme dhe njohësi i çështjeve të sigurisë Valdet Hoxha, për FrontOnline thekson se fenomeni ka shkaqe të shumta dhe kërkon qasje serioze institucionale.

“Shqetësuese është numri i madh i vrasjeve në Kosovë dhe faktorët e motivet janë të ndryshme dhe natyrshëm Kosova nuk mund të ketë përjashtim nga vendet tjera sepse ndodhin kudo në botë, por kjo s’duhet të na ngushëlloj me këtë fakt”, deklaron Hoxha.

Ai vlerëson se përballja me këtë fenomen duhet të nisë me analiza dhe hulumtime të thelluara, veçanërisht sa i përket armëve ilegale.

“Duhet analizë e thellë, duhet hulumtim i thellë për të ditur numrin e armëve pa leje që janë në duart e qytetarëve, pastaj organizimi i ndonjë amnistie për dorëzimin e armëve duke ofruar lirim nga dënimi për poseduesit e tyre, pastaj edhe veprimet tjera të nevojshme”, shprehet ai.

Sipas tij, situata është edhe më komplekse për shkak të zhvillimeve globale dhe faktorëve historikë brenda vendit.

“Komplekse është kjo çështje sepse koha nuk është ideale për zvogëlimin e armëve, kur po vlon rindërtimi i strategjisë së riarmatimit në botë dhe kjo është e vështirë, pastaj është çështja tjetër sepse vendi ynë ka qenë nën sundim dhe në të kaluarën nuk është lejuar bartja e pronësisë dhe shumë vrasje po ndodhin për shkak të mosregjistrimit të pronave dhe këtu po lindin konfliktet dhe është një faj adrese i mungesës së kësaj databaze për regjistrim pronash, pastaj motive tjera si lakmia dhe të tjera”, thekson Hoxha

Ai shton se pavarësisht sfidave, shteti duhet të luajë rolin e tij në trajtimin e rasteve dhe zbatimin e ligjit.

“Shteti duhet bëjë punën e tij dhe t’i trajtoj këto raste dhe s’ka optimizëm që mund të zhduket ky fenomen. Trendi është negativ i këtij viti dhe nëse vazhdon me këtë trend mund të kalohet numri i statistikave të viteve të kaluara”, paralajmëron ai.

Në fund, Hoxha kërkon zbatim më rigoroz të legjislacionit dhe rritje të ndërgjegjësimit shoqëror për pasojat e krimeve të tilla.

“Natyrshëm që shteti duhet të luaj rolin e vet në sistemin e drejtësisë për zbatimin e ligjit rigoroz, pra të Kodit Penal të Kosovës i cili nuk është fare familjar për rastet e tilla. Çdo ditë ka aktgjykime të tilla në kuptimin simbolik të fjalës, por ka shpesh aktgjykime dënuese për raste të tilla dhe njëra nga to është si me thënë dhënia e vërejtjes ndaj kësaj dukurie, për të kuptuar qytetarët se këto gjëra sjellin pasoja afatgjata dhe pastaj është edhe një lloj ri-socializimi që mendohet bëhet ndaj kryesve të këtyre veprave”, përfundon ai.

Rritja e numrit të vrasjeve në Kosovë po konsiderohet si një fenomen kompleks dhe shumëdimensional, që nuk mund të shpjegohet me një shkak të vetëm. Kështu vlerëson psikologu social Rron Kastrati, i cili për FrontOnline thekson se ndërthurja e faktorëve psikologjikë dhe socialë po krijon një terren të rrezikshëm për përshkallëzim të dhunës.

“Fenomeni i rritjes së vrasjeve në Kosovë është kompleks dhe shumë i ndjeshëm dhe nuk mund të shpjegohet me vetëm një faktor. Sipas këndvështrimit tim psikologjik dhe social, kemi një ndërthurje që krijojnë një terren të rrezikshëm apo të papërshtatshëm që e sjellin situatën kaq të rrezikshme”, deklaron Kastrati.

Ai thekson se një ndër faktorët kryesorë është akumulimi i frustrimit dhe agresionit të shtypur në shoqëri.

“Njëri nga faktorët është akumulimi i frustrimit dhe agresionit të shtypur, që do të thotë që shumë njerëz jetojnë me stres ekonomik, varësi, ndjenjë padrejtësie, apo përceptim i situatës, ose ballafaqimi me sfidat korrespodojnë me të padrejtën dhe këto krijojnë ndjenjë të papërshtatshme të brenshme dhe kur nuk përpunohen këto emocionalisht atëherë shpërthen në formën ekstreme si dhuna dhe vrasja”, shprehet ai për FrontOnline.

Sipas tij, kjo gjendje lidhet edhe me dërrizimin emocional dhe impulsivitetin e lartë.

“Këtu kemi të bëjmë me faktorin e dërrizimit emocional, që në fakt ka raste ku impulsiviteti është i lartë dhe kjo tregon mungesën e intelegjencës dhe vetë kontrollit”, thekson Kastrati.

Ai ngre shqetësimin edhe për normalizimin e dhunës në familje dhe komunitet.

“Shqetësuese është se dhuna po bëhet i shpeshtë në disa familje dhe komunitete. Dhunën e shohin si mënyrë zgjidhje dhe konfliktet po trashëgohen brez pas brezi dhe kjo krijon një model mësimor, ku agresioni bëhet reagim normal, për të zgjidhur situatat”, deklaron ai.

Në vijim, Kastrati përmend edhe faktorë të tjerë që ndikojnë në rritjen e rasteve të dhunës ekstreme.

“Kemi të bëjmë edhe me krizën indentitare, xhelozinë patologjike dhe dominimin apo posdemin në mardhënie. Shohim një vit sfidor me problemet e natyrës depresive, probleme të c’rregullimit të personalitetit, apo traumave të papërpunuara dhe kur nuk e marrin ndihmën e duhur, kjo rritë rrezikun për sjellje agresive nga agresori ndaj viktimës”, thotë ai.

Duke folur për mënyrën e reagimit institucional, ai kritikon mungesën e parandalimit.

“Ndërhyrja nuk duhet të ndodhë pas incidentit, edhe kjo përbën një problematikë në veti. Pra duhet të forcohen mekanizmat e parandalimit dhe indentifikimit të hershëm”, thekson Kastrati.

Në fund, ai kërkon veprime konkrete nga shteti dhe shoqëria për të ulur numrin e vrasjeve.

“Mendoj se shteti duhet të forcoj shëndetin mendor publik, të rritë numrin e psikologëve dhe psikiatërve dhe pas tij të marr ofrimin e shërbimeve. Duhet të multi-aktivizohen trajnimet në shkolla, programet e rehabilitimit për persona me histori dhune”, përfundon ai.

Ndërkaq, sipas Policisë së Kosovës vitin e kaluar ishin konfiskuar 1931 armë zjarri.

Advertisement
Advertisement
Advertisement