"Rritja e çmimit të derivateve përhapet në krejt ekonominë" Hoti, Mustafa, Tahiri i kërkojnë Kurtit masa: Mos t'u mbetet barra vetëm qytetarëve - Gazeta Express
string(137) "rritja-e-cmimit-te-derivateve-perhapet-ne-krejt-ekonomine-hoti-mustafa-tahiri-i-kerkojne-kurtit-masa-mos-tu-mbetet-barra-vetem-qytetareve"

Lajme

Sefer Zogaj

23/03/2026 19:39

“Rritja e çmimit të derivateve përhapet në krejt ekonominë” Hoti, Mustafa, Tahiri i kërkojnë Kurtit masa: Mos t’u mbetet barra vetëm qytetarëve

Lajme

Sefer Zogaj

23/03/2026 19:39

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), tregoi se inflacioni për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit është 6% për shkurtin e vitit 2026, krahasuar me shkurtin e vitit paraprak.

Në ekonomi inflacioni deri në 2% konsideruar i moderuar, tashmë Kosova ka hyrë në fazën e inflacionit relativisht të lartë, i ndikuar pos nga konfliktet ndërkombëtare edhe nga trendet e rritjes së energjisë elektrike.

Së fundmi lufta në Iran ka lëvizur shqetësimet për një valë të re inflacioni e ndikuar nga rritja e çmimeve të karburanteve të naftës, Kosova si një ekonomi me deficit tregtar cenohet më së lehti nga inflacioni i importuar.

Por, Qeveria ka në dispozicion disa mekanizma në variantin më të mirë për të ulur inflacionin në pikën e moderuar apo në variantin më të keq për ta parandaluar inflacionin galopant

Për këtë çështje, Avdullah Hoti, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), që ka shërbyer si kryeministër i Kosovës dhe ministër i Financave më parë, i ka thënë Gazetës Express se çmimi i derivatet përhapet në gjithë ekonominë.

Kjo për shkak siç thotë Hoti integrimi të madh të tregjeve globale.

“Rritja e çmimit të derivateve pa dyshim se përhapet në gjithë ekonominë, duke rritur kostot e prodhimit dhe operimit të bizneseve. Më tutje, rritja e këtyre kostove bartet në çmimet e produkteve për konsumatorët dhe në produkte të tjera të ndërmjetme. Për shkak të integrimit të madh të tregjeve globale, përvoja ka treguar se efektet zinxhirore janë shumë të shpejta. Këtë e kemi parë të ndodhë më parë, dhe po e shohim edhe tani. Kosova nuk përbën përjashtim nga ky rregull”, ka thënë Hoti.

Qeveria e Kosovës akoma nuk ka ndërmarrë ndonjë masë anti-inflacion, përkundër se Kosova ka një juridiksion që rregullon çështjet emergjente.

“E vërteta është se ne e ndajmë fatin me të gjithë pjesëmarrësit në tregjet globale, siç edhe përfitojmë kur zhvillimet në tregjet globale janë të favorshme. Por, në rastin konkret të rritjes së çmimeve të derivateve, nuk duhet të pritet që e gjithë kostoja të bartet te konsumatori. Shumë vende evropiane tanimë kanë ndërmarrë masa për të zbutur ndikimin negativ për konsumatorët”, ka thënë Hoti.

Tutje, ish-kryeministri i Kosovës ka disa rekomandime të cilat Qeveria e Kosovës duhet t’i ndërmarrë bazuar në ligjet në fuqi. Hoti kërkon aktivizimin më të madh të Inspektoratit të Tregut dhe Komisionit të Konkurrencës.

“Inspektorati i tregut duhet të monitorojë tregun në vazhdimësi për të konstatuar sa po rritet çmimi i furnizimit dhe deri në çfarë mase kjo rritje po bartet në çmimin për konsumatorët. Duhet të përgatitet raport ditor për këtë çështje, i cili bëhet transparent për publikun”.

“Komisioni i Konkurrencës duhet të angazhohet plotësisht për të konstatuar nëse ka sjellje të kompanive furnizuese që bien ndesh me parimet e funksionimit konkurrues të tregut. Ky është një rast tipik i situatës në treg ku, për shkak të luhatjeve të mëdha në çmime, Komisioni i Konkurrencës duhet të angazhohet sipas detyrës zyrtare”.

Hoti ka kërkuar që Qeveria të ul akcizën që do të ndikonte direkt në uljen e çmimit të derivatëve.

“Qeveria duhet menjëherë të ndërhyjë për të ulur akcizën në derivate. Ulja e akcizës duhet të bëhet bazuar në analiza që balancojnë këta dy faktorë: (a) sa duhet të ulet akciza për të siguruar rritje të kontrolluar dhe të moderuar të çmimit të derivateve për konsumatorët dhe (b) cili është ndikimi në të hyrat buxhetore nga ulja e akcizës. Faktori i dytë siguron më shumë hapësirë veprimi për Qeverinë për ulje të akcizës, pasi të hyrat buxhetore nga TVSH-ja në derivate rriten si rezultat i rritjes së çmimit. Praktikisht, Qeveria mund të ulë çmimin e derivateve për konsumatorët deri në nivelin kur akciza bie në zero, ndërkaq të hyrat buxhetore mund të mbesin të pandryshueshme për shkak të rritjes së vlerës së TVSH-së”,ka thënë Hoti.

Ai ka kritikuar edhe mënryën sesi po caktohet marzha e fitimit, duke thënë se nuk e mbron konsumatorin nga rritja e çmimeve.

“Masa e caktimit të marzhave të fitimit nuk është adekuate për dy arsye. E para, caktimi i marzhës për biznese nuk e mbron konsumatorin nga rritja e çmimit. Kjo masë vetëm sa e kufizon fitimin e firmave, duke e mbajtur atë brenda një kufiri të caktuar. Ndërkaq, rritja e çmimit në tregjet ndërkombëtare bartet plotësisht te konsumatori. E dyta, caktimi i marzhës përbën ndërhyrje në modelin e operimit të biznesit, e cila çështje është e garantuar me Kushtetutë si liri e veprimit të biznesit. Historia ka dëshmuar se intervenimi i shtetit në çështje të tilla biznesore vetëm sa e përkeqëson situatën, duke nxjerrë kompani nga tregu, gjë që rezulton në përkeqësim të konkurrencës”.

“Shteti e ka për obligim të sigurojë kushte konkurruese dhe të parandalojë sjelljet e kompanive që bien ndesh me ekonominë e lirë të tregut. Përtej kësaj, për të arritur efektin e dëshiruar, shteti duhet të përdorë instrumentet e politikave fiskale dhe industriale. Në rastin konkret, efekti i dëshiruar është parandalimi apo një rritje e moderuar e çmimit të derivateve. Dhe kjo mund të arrihet lehtësisht duke operuar me ulje të akcizës”, ka thënë Hoti.

Për situatën aktuale në të cilën po kalon Kosova, është deklaruar për Gazetën Express edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa.

Ai ka kritikuar Qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti për qasje pasive në raport me gjendjen serioze ekonomike.

“Rritja e çmimeve të naftës nuk ka të ndalur, ndërsa Qeveria e Kosovës vazhdon të qëndrojë në rolin e spektatorit. Në një kohë kur qytetarët dhe bizneset po përballen me çmime gjithnjë e më të larta, mungesa e veprimit është e papranueshme”.

Edhe Mustafa rekoamndon që që të largohet akciza për naftë në mënyrë që çmimi të ulet direkt.

“Zgjidhja është e qartë: ulja ose largimi i akcizës në naftë. Sot, nga çdo litër naftë, shteti merr rreth 0.35 euro akcizë, një barrë, që në këto kushte krize nuk duhet të rëndojë mbi qytetarët dhe ekonominë. Heqja apo reduktimi i kësaj takse do të ndikonte menjëherë në uljen e çmimit të naftës dhe do të ndihmonte në frenimin e rritjes së çmimeve në të gjitha produktet bazë. Shumë vende tashmë kanë ndërmarrë hapa të tillë për të mbrojtur qytetarët dhe ekonominë e tyre. Këtë duhet ta bëjë pa vonesë edhe Qeveria e Kosovës”, ka thënë ai.

Për rritjen e çmimit të naftës ka alarmuar edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, i cili tha se efekti do të jetë i menjëhershëm dhe zinxhirorë.

“Rritja e çmimit të naftës ka efekt të drejtpërdrejtë dhe zinxhiror në të gjithë ekonominë, në veçanti në sektorin e prodhimit në vend. Poashtu, nafta është inputi bazë për transportin dhe shpërndarjen e pothuajse çdo produkti që vjen si mall i importuar. Si rezultat i këtij konstatimi rriten kostot e transportit për biznese, shtrenjtohet prodhimi dhe furnizimi me mallra si dhe rriten çmimet e produkteve bazë dhe shërbimeve. E poashtu, bie fuqia blerëse e qytetarëve. Pra këtu kemi të bëjme me një efekt domino që në fund godet bizneset e konsumatorët”, ka thënë ai.

Ai ka kritikuar edhe Qeverinë e Kosovës për mos marrjen e politikave lehtësuese që do të ndihmonin qytetarët.

“Mungesa e veprimeve konkrete nga ana e qeverisë është shqetësuese dhe e rrezikshme për stabilitetin ekonomik të vendit. Në vend të veprimeve urgjente me politika lehtësuese, po shohim qasje që tentojnë të kontrollojnë çmimet në mënyrë artificiale, duke i detyruar bizneset të operojnë me humbje. Kjo nuk është zgjidhje, por një rrugë e sigurt drejt falimentimit të ndërmarrjeve dhe humbjes së vendeve të punës. Shihmi çka bëjnë shtetet serioze, ato nuk bëjnë populizëm me çmime, por, po ulin përkohësisht barrën fiskale (TVSH dhe akcizë), po subvencionojnë sektorët kritikë dhe po krijojnë rezerva strategjike.  Fatkeqësisht, Në Kosovë, përkundrazi, kemi një mungesë reagimi në një moment kur ekonomia është në prag kolapsi dhe shteti funksional në rrezik”, ka thënë ai.

Sipas Tahirit masat e Qeverisë, duhet të jenë të menjëhershme dhe konkrete. Ato përfshijnë uljen e TVSH-së, por edhe krijimin e një task force të përbashkët me Odën Ekonomike, Shoqatën e Naftëtarëve dhe shoqatat tjera relevante, në bashkëpunim me MINT dhe Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave.

“Lirimi i menjëhershëm i së paku 50% nga TVSH-ja për derivatet 2. Heqja e përkohshme e akcizës për naftën deri në stabilizimin e tregut që së bashku me TVSH e ul çmimin per cca 40 cent/liter. 3. Krijimi urgjent i një taskforce të përbashkët me Odën Ekonomike, Shoqatën e Naftëtarëve dhe shoqatat tjera relevante, në bashkëpunim me MINT dhe Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave. 4. Marrja me qira e deponive ekzistuese në 5–6 pika kryesore dhe krijimi i rezervave maksimale strategjike të naftës. Për fund, Përvoja ndërkombëtare tregon qartë rrugën që duhet ndjekur. Vende si Maqedonia e Veriut, Sllovenia dhe Shqipëria kanë paralajmëruar ndërhyrje, ndërsa shtete të Bashkimit Evropian si Spanja e Italia tashmë kanë ndërmarrë paketa konkrete mbështetëse. Gjendja në vend është alarmante dhe kërkon veprim urgjent. Çdo vonesë e mëtejshme vetëm sa e përkeqëson situatën”, ka thënë Tahiri.

Qeveria ka reaguar nëpërmjet Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari Lila, e cila ka thënë se nuk po e konsiderojnë lirimin e TVSH-së dhe heqjen e akcizës për derivate, përkundër gjendjes me çmimet e larta

Kjo pasi sipas saj është shumë e vështirë që të monitorohet heqja e TVSH-së pasi paguhet nga qytetarët.

“TVSH-ja nuk ka qenë asnjëherë opsion, pasi është vështirë të monitorohet, pasi TVSH është ajo që paguhet nga qytetarët, prandaj lehtësisht thuhet, por është vështirë të bëhet, pasi mund të përfundojmë në situata kur hiqet TVSH, por çmimi mbetet i njëjtë, pasi operatorët ekonomikë nuk e heqin dhe ne nuk kemi mekanizëm për ta mbajtur çmimin tavan edhe për produkte të tjera. Sa i përket akcizës, mbetet të përcjellët, nuk e konsiderojmë si opsion, por e përcjellim situatën që çmimi nuk kalon çmimin e marzhës së caktuar”, ka thënë ajo

Një litër naftë në Kosovë ka mbërritur mbi 1.70 euro për litër, teksa disa linja të autobusëve ndër-urban kanë filluar shtrenjtimin e biletave.

Kosova ishte ndikuar direkt në vitin 2022 nga nisja e luftës së Rusisë në Ukrainë, ku si pasojë çmimet në treg ishin rritur. /Gazeta Express

Advertisement
Advertisement
Advertisement