Antoine Griezmann ka vendosur të largohet nga Atlético Madrid në fund të sezonit dhe të vazhdojë karrierën në MLS.
35-vjeçari, golashënuesi më i mirë në historinë e klubit madrilen, do ta shfrytëzojë pauzën ndërkombëtare për të finalizuar të ardhmen e tij, ndërsa po përgatitet të largohet nga stadiumi “Riyadh Air Metropolitano”.
Më herët gjatë këtij viti, Griezmann ishte objektiv i fortë i Orlando City, që synonte ta transferonte për sezonin 2026 në MLS.
Megjithatë, ish-reprezentuesi i Francës vendosi të qëndrojë deri në fund të sezonit me Atleticon, që synon trofe në Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Mbretit.
Tashmë, sipas raportimeve, ai ka dhënë dritën jeshile për t’u transferuar te Orlando City këtë verë.
Ai pritet të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara në ditët në vijim për të finalizuar kontratën me klubin nga Florida, me lejen e Atleticos.
Sipas gazetarit Fabrizio Romano, klubi madrilen nuk do t’i krijojë pengesa largimit të tij. Madje, është vendosur që Griezmann të largohet pa pagesë transferimi, edhe pse ka kontratë deri në verën e vitit 2027.
Ky vendim shihet si një formë mirënjohjeje për një nga lojtarët më të mëdhenj në historinë e klubit.
Roli i Griezmann te Atletico ka rënë gradualisht në vitet e fundit, ndaj ky moment konsiderohet i përshtatshëm për një ndryshim. Megjithatë, ai do të jetë një humbje e madhe për trajnerin Diego Simeone, i cili tashmë do të kërkojë nga drejtori sportiv Mateu Alemany të gjejë një zëvendësues të denjë./GazetaExpress/