Sipas raportimeve, Trent Alexander-Arnold është ndëshkuar për shkeljen e “kodit të sjelljes” së rreptë të Real Madridit.
Pas eliminimit të Manchester Cityt në Ligën e Kampionëve, Real Madridi fitoi derbin ndaj Atlético Madridit me rezultat 3-2 të dielën, ku Vinícius Júnior shënoi dy herë dhe Federico Valverde realizoi një gol, para se të përjashtohej me të kuq.
“Los Blancos” përmbysën rezultatin pas disavantazhit.
Megjithëse ishte në formë të mirë, Alexander-Arnoldi mbeti në stol, me Dani Carvajalin që startoi në krahun e djathtë të mbrojtjes.
Ish-lojtari i Liverpool kishte qenë titullar në javët e fundit si në Ligën e Kampionëve ashtu edhe në La Liga.
Sipas mediumit spanjoll “MARCA”, vendimi nuk ishte taktik apo për arsye sportive.
Raportohet se anglezi kishte “ardhur me vonesë në një nga seancat e fundit stërvitore të javës”.
Trajneri Álvaro Arbeloa thuhet se mori këtë vendim për të dhënë një “mesazh të qartë”, duke u fokusuar në disiplinën dhe rendin brenda skuadrës.
Megjithatë, Alexander-Arnoldi u inkuadrua në minutën e 64-të në vend të Carvajal dhe kontribuoi menjëherë, duke asistuar për golin e dytë të Viníciusit.
Pas ndeshjes, Arbeloa nuk pranoi të konfirmojë nëse lënia në stol ishte për arsye disiplinore.
“Në çdo ndeshje zgjedh formacionin më të mirë. Carvajali pati minuta shumë të mira dhe jam shumë i kënaqur me të. Trenti pati ndikim të madh dhe jam me fat që kam shumë opsione cilësore,” deklaroi ai.
Ndërkohë, Alexander-Arnoldi është lënë jashtë edhe nga lista e fundit e Anglisë e publikuar nga Thomas Tuchel, pavarësisht se tekniku gjerman kishte përzgjedhur 35 lojtarë.
Vendin e tij në krahun e djathtë e kanë zënë lojtarë si Tino Livramento, Djed Spence dhe Jarell Quansah, ndërsa Reece James mungon për shkak dëmtimi.
Tuchel theksoi se bëhej fjalë për një “vendim sportiv” dhe pranoi se ishte një zgjedhje e vështirë, duke shtuar se ende nuk kishte biseduar me Alexander-Arnoldin për këtë vendim./GazetaExpress/