Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen e vëllait në Bokshiq të Klinës - Gazeta Express
string(80) "nje-muaj-paraburgim-ndaj-te-dyshuarit-per-vrasjen-e-vellait-ne-bokshiq-te-klines"

Lajme

Gazeta Express

23/03/2026 12:26

Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen e vëllait në Bokshiq të Klinës

Lajme

Gazeta Express

23/03/2026 12:26

Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë, duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh të dyshuarit J.J., për vrasjen e vëllait në Bokshiq të Klinës.

Udhëheqësja e zyrës për informim dhe komunikim me media në Gjykatën Themelore në Pejë, Agnesë Zeqiraj-Çetaj, konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” se masa e paraburgimit, të pandehurit mund t’i zgjasë deri më 19 prill.

“Ju informojmë se të pandehurit J.J. i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 (tridhjetë) ditësh. Koha e paraburgimit do të llogaritet nga dita e arrestimit të të pandehurit, më 21.03.2026 në ora 15:30, deri më 19.04.2026”, konfirmoi Zeqiraj-Çetaj.

Masa e paraburgimit, të dyshuarit iu caktua pas mbajtjes së seancës dëgjimore.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë dhe Policia e Kosovës- Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, të shtunën (21 mars) njoftuan se rreth orës 15:08 është raportuar për të shtëna me armë zjarri në fshatin Bokshiq të komunës së Klinës. Si pasojë e plagëve, një person ka humbur jetën.

“Policia e Kosovës me të pranuar informatën menjëherë ka dal në vend të ngjarjes dhe ka kuptuar se një person ishte i plagosur me armë zjarri. Viktima është dërguar për në Spitalin Rajonal të Pejës për trajtim mjekësor, mirëpo si pasojë e plagëve të rënda viktima ka humbur jetën. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar nga Spitali Rajonal i Pejës”, thuhej në komunikatë.

Aty u bë e ditur se Policia në vendin e ngjarjes ka arrestuar personin e dyshuar, i cili me urdhër të Prokurorit të Shtetit u ndalua për 48 orë për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet relevante policore, Prokurori i Shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda të cilët kanë sekuestruar armën e cila dyshohet që është përdorur në rast dhe prova të tjera relevante. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, thuhej më tej në njoftim. 

Advertisement
Advertisement
Advertisement