Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, dënoi sulmet e Izraelit ndaj infrastrukturës libaneze në jug të Libanit të dielën, duke thënë se ato janë një “prelud për pushtim tokësor” dhe në “shkelje të qartë” të së drejtës ndërkombëtare, raporton CNN.
Më herët të dielën, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se ushtria do të përshpejtojë shkatërrimin e shtëpive përgjatë kufirit jugor të Libanit dhe do t’i shkatërronte të gjitha urat mbi lumin Litani, i cili lidh jugun e Libanit me pjesën tjetër të vendit.
“Këto sulme përbëjnë një përshkallëzim të rrezikshëm dhe një shkelje të hapur të sovranitetit të Libanit. Ato janë një prelud për një pushtim tokësor, kundër të cilit Libani ka paralajmëruar prej kohësh përmes kanaleve diplomatike. Ato gjithashtu pasqyrojnë një prirje të rrezikshme drejt shkatërrimit sistematik të infrastrukturës, objekteve civile dhe zonave të banuara në fshatrat libaneze, duke përbërë një politikë ndëshkimi kolektiv ndaj civilëve”, tha Aoun.
Aoun tha se shënjestrimi i urave të lumit Litani “bie brenda planeve të dyshimta për të krijuar një zonë tampon, për të konsoliduar realitetin e okupimit dhe për të ndjekur zgjerimin izraelit në territorin libanez”.
Presidenti libanez i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar, përfshirë OKB-në dhe anëtarët e Këshillit të Sigurimit, të ndërmarrin veprime për ta “penguar Izraelin”.