Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, Tulsi Gabbard, tha se objektivat e përcaktuara nga qeveritë e SHBA-së dhe Izraelit për luftën kundër Iranit “janë të ndryshme”, duke shtuar se nuk e di nëse Izraeli do të mbështeste arritjen e një marrëveshjeje me Iranin.
“Ne mund ta shohim nga operacionet se qeveria izraelite është përqendruar në dobësimin e udhëheqjes iraniane dhe eliminimin e disa prej anëtarëve të saj, duke filluar, padyshim, me Ajatollahun, liderin suprem, dhe ata vazhdojnë të fokusohen në këtë përpjekje”, tha Gabbard të enjten, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.
Ndërkohë, Presidenti Donald Trump “ka deklaruar se objektivat e tij janë shkatërrimi i kapacitetit të Iranit për lëshimin e raketave balistike, kapacitetit të prodhimit të tyre, si dhe i marinës së tij — marinës së IRGC-së dhe kapacitetit për vendosjen e minave detare”, shtoi ajo.
Gabbard tha se nuk e “di qëndrimin e Izraelit” për arritjen e një marrëveshjeje me Iranin dhe as nuk pranoi të thoshte nëse pajtohej me pretendimin se Izraeli e kishte “injoruar” presidentin duke goditur infrastrukturën energjetike të Iranit.
“Nuk jam në dijeni të diskutimeve të tyre apo të faktorëve që kanë ndikuar në vendimmarrjen për nisjen e këtij apo sulmeve të tjera,” tha Gabbard.
“Ne nuk jemi të përfshirë në elementin operacional të kësaj. Ne po ofrojmë vazhdimisht, në baza ditore, vlerësime të inteligjencës për ngjarjet që po ndodhin”.