A mund t’i shënojë Leo Messi 1000 gola? - Gazeta Express
string(37) "a-mund-ti-shenoje-leo-messi-1000-gola"

Sport

Gazeta Express

19/03/2026 16:00

A mund t’i shënojë Leo Messi 1000 gola?

Sport

Gazeta Express

19/03/2026 16:00

Lionel Messi po vazhdon të lërë gjurmë në futbollin botëror.

Ylli argjentinas u bë veç lojtari i dytë që e arrin shifrën e 900 golave në ndeshje zyrtare.

Tetë herë fituesi i Topit të Artë shënoi mbrëmë në barazimin 1:1 të Inter Miamit ndaj Nashville në rrethin e dytë të Concacaf Champions Cup, shkruan “Gazeta Express”.

Loja e parë kishte përfunduar 0:0, që nënkupton se Inter Miami u eliminua shkaku i rregullave të golit të mysafirit.

Kampioni i botës me Argjentinën iu bashkua Cristiano Ronaldos, i cili deri tash ishte lojtari i parë dhe i vetëm që i ka shënuar 900 gola në karrierë.

Këtë arritje, ylli portugez e kishte bërë në shtator të vitit 2024.

Ronaldo i ka realizuar 965 gola dhe e ka bërë të qartë se synon ta arrijë shifrën e 1000 golave.

Por, pse të mos e synojë edhe Messi këtë shifër? Pra, atij i duhen edhe 100 gola.

Messit iu nevojitën 1,142 ndeshje për t’i shënuar 900 gola, kurse Ronaldos iu deshën 1,236 ndeshje për ta kaput 900 golëshin.

Legjenda braziliane Pele e zë vendin e tretë në listën e golashënuesve më të mirë në histori me 765 gola, ndonëse pretendonte se i kishte mbi 1000 gola.

Sa u përket lojtarëve aktivë, ylli i Barcelonës, Robert Lewandowski është larg Ronaldos e Messit me 690 gola.

Messi kishte debutuar me Barcelonën më 16 tetor të vitit 2004.

Pjesën më të madhe të golave i ka shënuar në Spanjë me gjigantin katalunas.

Ai i ka realizuar 672 gola me “Blaugrana”, ndërsa i ka shtuar edhe 81 me Inter Miamin dhe 32 me Paris Saint-Germainin.

Kurse, me Kombëtaren e Argjentinas i ka shënuar 115 gola.

Viti më brilant i Messit në karrierë ishte ai 2012, kur i shënonte 91 gola me Barcelonën dhe Argjentinën në 69 ndeshje të zhvilluara, prej tyre 79 me katalunasit dhe 12 me kampionët e botës.

Messi njihet po ashtu si futbollisti që i ka shënuar më së shpejti 100 gola në Ligën e Kampionëve, më saktësisht pas 123 ndeshjesh. /Gazeta Express

Advertisement
Advertisement
Advertisement