Albin Kurti nuk përmend kompromis për Presidentin, por shpreson që Gjykata Kushtetuese ta anulojë dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit. Kryeministri u shpreh “optimist për të ardhmen”, një ditë pasi anëtarë të partisë së tij thanë mbrëmë në Pressing në T7 se në rast se aktgjykimi do të jetë në favor të tyre, do të ketë diskutime “intensive” për të gjetur “kompromis me opozitën”. Adnan Rrustemi tha se në orët e fundit para 5 marsit, PDK-së dhe LDK-së u ishte ofruar “edhe marrëveshje politike” ku do të përfshiheshin “pozicione të tjera institucionale”.
Gazeta Express
Kryeministri Albin Kurti e përmendi sot aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese – i cili pritet të shpallet deri në fund të muajit – kur një gazetare e pyeti se çfarë kompromisi do të ishte në gjendje të bënte për ta zgjedhur Presidentin, në rast se autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës do të japë edhe 60 ditë kohë për këtë.
Presidentja Vjosa Osmani mëngjesin e 6 marsit nxori një dekret për shpërndarjen e Kuvendit pasi tha se deputetët një ditë më parë nuk kishin arritur ta zgjidhnin Presidentin e ri, “sipas afatit kushtetues”.
Ky vendim, sipas Lëvizjes Vetëvendosje u mor në kundërshtim me udhëzimet që jep Kushtetuta e vendit për një situatë të tillë. Vetë Kurti, po atë ditë, e dërgoi në Kushtetuese vendimin e presidentes, duke e konsideruar dekretin “shkelje të rëndë të rendit kushtetues”.
Pyetjes për “kompromisin” që epërmendën anëtarët e partisë së tij, Kurti iu përgjigj kështu sot: “Jemi duke e pritur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Duhet të tregojmë përgjegjësi shtetërore dhe durim politik. Jam optimist ,natyrisht, për të ardhmen”.
Pyetja e gazetares i referohej një deklarate që doli mbrëmë nga LVV-ja. Anëtari i kësaj partie, Adnan Rrustemi, deputet në disa legjislatura, tha në Pressing në T7 se 24 orët e fundit para se të përfundonte 5 marsi, dita që konsiderohej si afati i fundit për zgjedhjen e Presidentit, Kurti u kishte ofruar Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës “edhe marrëveshje politike”.
Drejtuesi i emisionit, Leonard Kerquki e pyeti se “çfarë i bie marrëveshje politike”, sipas LVV-së. Analisti Dibran Hoxha pyeti nëse partia në pushtet ka qenë e gatshme të ofrojë edhe ministri.
“Jo domosdo [ministri], por pozicionet tjera janë futur në diskutim, në gatishmëri”, tha Rrustemi.
Ai theksoi se “në orët e fundit”, në diskutim ka qenë edhe mundësia për “të diskutuar marrëveshje politike edhe për pozicione të tjera institucionale”.
Kerquki e pyeti sërish nëse bëhej fjalë për pozicione në qeveri, ndërsa Rrustemi shtoi se “për qeveri, ka pasur refuzim prej opozitës”.
“Nuk ka pasur as nevojë dhe unë e kuptoj… Me këtë rezultat zgjedhor, nuk e di sa do të ishin të gatshme”, tha ai.
Insistimit të Kerqukit për të treguar se çfarë marrëveshje dhe çfarë pozicionesh janë ofruar, Rrustemi tha se nuk dëshiron t’i përmend.
“Po ka bre… se s’po dua të përmend meqenëse s’kanë ndodhur takimet, por besoj e dinë për çka po flas”, tha ai.
Ai përmendi “mesazhe dhe komunikime” në orët e fundit, në të cilat tha se është ofruar marrëveshje politike.
Anëtarja tjetër e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu, deshi t’i japë fund insistimit duke thënë se “duhet me qenë të rezervuar sa i përket kësaj”.
Gjykata Kushtetuese më 9 mars vendosi masë të përkohshme me të cilën ua ndaloi presidentes dhe Kuvendit çdo veprim deri në fund të muajit.
Mandati i presidentes Osmani përfundon më 5 prill dhe mundësia që LVV-ja ta mbështeste atë edhe për një mandat duket se u hodh poshtë përfundimisht më 5 mars, kur partia e Kurtit njoftoi se për shef të shtetit e kishin propozuar Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme.