Tensionet politike mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara vazhdojnë të reflektohen edhe në futboll, sidomos në prag të Botërorit 2026, që do të organizohet nga SHBA-të, Kanadaja dhe Meksika.
Nga Irani ka ardhur një mesazh i qartë: kundërshtimi është ndaj SHBA-ve, por jo ndaj Kupës së Botës.
Në fakt, nga Teherani theksohet se kombëtarja nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga turneu dhe po i vazhdon përgatitjet normalisht, shkruan “Tuttomercatoweb”, përcjell “Gazeta Express”.
Mesazhi është shumë i qartë: “Ne bojkotojmë SHBA-të, jo Botërorin. Po përgatitemi.”
Deklarata vjen në një moment tensionesh të forta politike mes dy vendeve, që mund të ndikojnë edhe në aspektin sportiv.
Në të kaluarën, përfaqësues iranianë kanë folur për mundësinë që kombëtarja të mos marrë pjesë në ndeshjet që zhvillohen në territorin amerikan, pikërisht për shkak të situatës politike.
Megjithatë, nga ana sportive qëndrimi duket më i qartë: Irani dëshiron të jetë pjesë e Kupës së Botës dhe po i vazhdon përgatitjet për turneun e madh ndërkombëtar.
Në stadin aktual, Kombëtarja iraniane do të duhej t’i zhvillojë tri ndeshjet e fazës së grupeve në tokën amerikane.
Irani do të përballet me Zelandën e Re dhe me Belgjikën në Los Angeles, ndërsa më pas ta sfidojë Egjiptin në Seattle.
Kurse, baza e iranianëve gjatë turneut është paraparë të jetë në Tuscon, në Arizonë.
Megjithatë, iranianët shpresojnë që FIFA t’ua japë një mundësi për t’ia zhvendosur ndeshjet në Meksikë. /Gazeta Express