Qytetarët e Kosovës po përballen me një rritje të ndjeshme të çmimeve të produkteve bazë në prag të festës së Bajramit.
Kjo situatë ka shkaktuar shqetësim të madh, pasi shumë familje kanë vështirësi për të përballuar shpenzimet e nevojshme.
Çmimet e ushqimeve, si mishi, mielli dhe produktet e tjera të domosdoshme, janë rritur dukshëm, duke rënduar ekonominë e qytetarëve dhe duke ulur fuqinë blerëse të familjeve.
Në shkurt të 2026-tes, inflacioni vjetor arriti rreth 6%, me një rritje mujore prej rreth 0.6%, duke shënuar nivelin më të lartë të rritjes së çmimeve që nga viti 2023.
Rritja e çmimeve ka ngritur shqetësime tek ekspertët e ekonomisë ku kanë paralajmëruar se disa biznese po shfrytëzojnë këtë periudhë festive për fitim, ndërsa institucionet e tregut duhet të ndërhyjnë për të parandaluar manipulimin e çmimeve.
Kreu i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku në një prononcim për “Front Online” ka folur lidhur me rritjen e çmimeve të produkteve esenciale në prag të festës së Bajramit, duke thënë se situata është shqetësuese dhe e përsëritur çdo vit.
“Në bazë të logjikës së ligjit themelor të ofertës dhe kërkesës të gjithë tregtarët janë të përgatitur për bajram dhe kanë ofertë të mjaftueshme dhe kur ka ofertë dhe kërkesë të mjaftueshme, çmimi duhet të jetë i balancuar jo i rritur. Nëse e kemi këtë dukuri të përsëritur që disa vite duhet të trajtohet këtë situatë”, u shpreh ai.
Ai shton se rritja e çmimeve në këtë periudhë nuk ka të bëjë me mungesën e ofertës, por me shfrytëzimin e momentit për fitim nga ana e disa tregtarëve.
“Për bajram duhet të jemi bashkë dhe të na bashkojë dhe çmimi, këtë momentum për ngritjen e çmimit po e shfrytëzojnë të gjithë. Nuk kemi as mekanizma as institucione që mund ta parandalojnë ngritjen e manipulimet e çmimeve”, deklaroi Kaçaniku.
Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj ka kritikuar rritjen e çmimeve të produkteve gjatë festave në Kosovë, duke e cilësuar këtë si një praktikë të keqe që është krijuar gjatë viteve të fundit.
Sipas tij, në shumë vende të botës çmimet ulen në periudha festash, derisa në Kosovë ndodh e kundërta.
Mulaj ka kërkuar ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse për mbikëqyrjen e çmimeve.
“Është praktikë e keqe që është krijuar viteve të fundit në Kosovë. Në shumë vende të ndryshme të botës çmimet ulën në rast të festave për shkak se rritët sasia e konsumit dhe tregtarët e bizneseve janë më të interesuar me shitë, në Kosovë ndodh e kundërta në rast të festave rritën çmimet dhe abuzohen me to. Bizneset e shfrytëzojnë këtë situatë. Inspektorati i Tregut është dashur ti kontrollojë këto dhe ti gjobitë”, ka thënë Mulaj për “Front Online”.
Drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Kushtrim Ahmeti ka folur për “Front Online” lidhur me rritjen e çmimeve në prag të festave.
Ai tha se zhvillimet e fundit në Lindjën e Mesme dhe rritja e çmimit të naftës kanë filluar të ndikojnë edhe sektorët e tjerë.
Ahmeti s’ka përjashtuar edhe mundësinë e abuzimeve me çmime në rast të festeve.
“Kemi një inspektorat të tregut që ka një numër të pamjaftueshëm të punëtorëve dhe nuk mund të përcjellin krejt zhvillimet çka ndodhin, kemi një komision të konkurrencës i cili nuk ka bord ende vetëm po shikon sikur spektator sesa që mundet të merr ndonjë veprim, këta duhet të ndikojnë që mos të abuzojmë me çmimet”, ka thënë Ahmeti.
Ai ka përmendur sfidat me të cilat përballen inspektoratet e tregut dhe mos ndikimin për ta parandaluar abuzimin me çmime.
“Kemi një inspektorat të tregut që ka një numër të pamjaftueshëm të punëtorëve dhe nuk mund të përcjellin krejt zhvillimet çka ndodhin, kemi një komision të konkurrencës i cili nuk ka bord ende vetëm po shikon sikur spektator sesa që mundet të merr ndonjë veprim, këta duhet të ndikojnë që mos të abuzojmë me çmimet”, deklaroi Ahmeti.
Sipas të dhënave zyrtare të ASK-së, gjatë disa muajve të vitit 2025 inflacioni vjetor në Kosovë ka qenë rreth 4–5 për qind. Në tetor 2025, çmimet e konsumit ishin mesatarisht 5.1% më të larta se në të njëjtin muaj të vitit 2024, ndërsa në nëntor rritja mesatare arriti rreth 5.3% krahasuar me një vit më parë.
Produktet që shtrenjtoheshin më së shumti gjatë vitit 2025, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ishin:
Energjia elektrike: rreth 15–20% në disa periudha
Frutat: mbi 15–16%
Kafe, çaj dhe kakao: rreth 13–17%
Mishi: rreth 12–13%
Qumështi, djathi dhe vezët: mbi 7–10%.