Detaje të reja tronditëse kanë dalë nga hetimet për zjarrin tragjik në një lokal në Crans-Montana, ku humbën jetën dhjetëra persona. Sipas analizave të fundit dhe pamjeve nga kamerat e sigurisë, shumë nga viktimat nuk arritën të shpëtonin pasi një nga daljet emergjente ishte e bllokuar.
Raportet tregojnë se gjatë përhapjes së shpejtë të flakëve, njerëzit u përpoqën të largoheshin përmes daljeve, por u përballën me pengesa, duke krijuar panik dhe kaos brenda ambientit.
Disa prej tyre mbetën të bllokuar pranë derës emergjente, ndërsa të tjerë u detyruan të thyenin dritaret për të shpëtuar, transmeton albinfo.ch.
Hetimet po fokusohen tashmë te standardet e sigurisë dhe menaxhimi i emergjencës në lokal, përfshirë funksionimin e daljeve të emergjencës dhe respektimin e rregullave të mbrojtjes nga zjarri. Autoritetet nuk përjashtojnë përgjegjësi penale për personat përgjegjës.
Kjo tragjedi, ku mbi 40 persona humbën jetën dhe shumë të tjerë u plagosën rëndë, ka ngritur shqetësime serioze në gjithë Zvicrën për sigurinë në hapësirat publike dhe respektimin e standardeve bazë të emergjencës.