Ish-kryediplomati shqiptar, Ditmir Bushati tha se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të qëndrojnë të përqendruara që të përfitojnë nga një momentum i ri, që mund ta sjellë rifillimi i bisedimeve të Islandës për anëtarësim në Bashkimin Europian.
“Mesazhe të qarta nga Gjermania për procesin e zgjerimit të BE-së. Nëse Islanda rifillon bisedimet për anëtarësim në BE pas një referendumi këtë verë, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të mbeten të përqendruara në reformat e sundimit të ligjit dhe në përafrimin gjeopolitik në mënyrë që të përfitojnë nga ky momentum”, shkroi Bushati në X.
Postimit, ai i shtoi një deklaratë të ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Johann Wadephul, i cili thotë se “është koha për zgjerim”.
“Kanë kaluar 25 vjet që kur u kemi premtuar shteteve të Ballkanit Perëndimor në Selanik se ato me të vërtetë kanë një mundësi për t’iu bashkuar klubit. Prandaj tani është koha që ata t’i përmbushin kriteret, dhe që ne t’u japim një mundësi reale për t’u anëtarësuar”, tha ai.
Wadephul përmendi edhe Islandën, që tha se mund të ishte “e radhës” për t’u anëtarësuar, nëse e konsideron.
“Por kjo është vërtet mundësia konkrete dhe realiste që Bashkimi Europian, brenda dy vitesh, mund të zgjerohet me një ose dy, ndoshta tre vende nga Ballkani Perëndimor, si dhe edhe me dy vende të Gjirit. Kjo do të tregonte vërtet se ne jemi tërheqës dhe se jemi në një rrugë të mirë për t’u bërë superfuqia e tretë në botë”, tha kryediplomati gjerman.
Clear messages from 🇩🇪 on 🇪🇺 enlargement process. If 🇮🇸 restarts 🇪🇺 accession talks following a referendum this summer, Western Balkan countries should remain focused on rule of law reforms & geopolitical alignment in order to benefit from this momentum.
— Ditmir Bushati (@ditmirbushati) March 18, 2026
pic.twitter.com/nv6kBrL1xN