Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka njoftuar për identifikimin e rastit të parë të sëmundjeve infektive tek gjedhët në Lubishtë të Vitisë.
Sipas njoftimit, rasti i parë i konfirmuar është identifikuar më 3 mars 2026, tek një fermer në fshatin Lubishtë, Komuna e Vitisë.
“Në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe udhëzimin administrativ përkatës, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) është duke vepruar brenda afateve ligjore të përcaktuara për ndërmarrjen e masave përkatëse, përfshirë edhe procesin e asgjësimit të kafshëve të infektuara.
Sipas dispozitave ligjore, eliminimi i kafshëve të konfirmuara me këto sëmundje realizohet brenda një afati deri në 30 ditë nga data e konfirmimit. Në këtë kuadër, të gjitha veprimet institucionale janë duke u zhvilluar në përputhje të plotë me këtë afat kohor, duke garantuar menaxhim të kontrolluar dhe të sigurt të situatës”, bëhet e ditur në njoftim.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV), u ka bërë thirrje të gjithë fermerëve dhe qytetarëve që të bashkëpunojnë me autoritetet kompetente dhe të raportojnë çdo dyshim për raste të ngjashme.